2015-06-17 14:58:00

Papa: tronditëse, zija në familje. Ngushëllimi, besimi në Ringjalljen


Vetëm feja dhe forca e dashurisë e pengojnë vdekjen ta shkretojë shpirtin njerëzor e ta bëjë të rrokulliset në zbrazësinë më të zezë. Ky, mendimi kryesor i katekizmit të cilin, në praninë e 25 mijë besimtarëve, Papa sot ia kushtoi përsëri jetës në familje, posaçërisht çastit më tragjik, zisë për vdekjen e njeriut të dashur. Ati i Shenjtë i porositi barinjtë të mos ua ndalojnë besimtarëve të drejtën e vajit, madje të përfitojnë sa më shumë nga dëshmia e atyre familjeve, ku vdekja kalon, pa mundur kurrë ta thotë fjalën e fundit. Në përfundim të audiencës, kujtimi se nesër do të  botohet enciklika e Françeskut kushtuar gjithësisë, titulluar me fjalët e një Françesku tjetër, emrin e të cilit e zgjodhi Papa: Shën Françeskut. “Lëvduar qofsh!”, o Zot ,  janë fjalët me të cilat hapet e mbyllet enciklika.

Dhimbja e Jezusit që, siç na tregon Ungjilli i Lukës, preket në shpirt nga  vaji i vejushës, që ka humbur birin e vetëm e, prej këndej, edhe ia kthen të gjallë, i priu reflektimit të Papës kushtuar përvojës së vdekjes, nga e cila nuk shpëton asnjë njeri, asnjë familje e nuk pranohet kurrë si diçka e natyrshme.

Humbja e prindit a e fëmijës

Sfilitëse e kundër natyrës së marrëdhënieve familjare është për prindin  humbja e fëmijës:

“Humbja e një biri a e një bije është e tmerrshme për prindin! Të duket sikur koha ndalet në vend: hapet një  hon, ku gremiset e kaluara e zhduket, pa kthim, e ardhmja. Vdekja, që kalon e të merr me vete birin, të vogël a të ri, është shuplakë mbi premtimet, dhuratat, flijimet për dashuri ndaj jetës, që e bëmë të lindë e e shikojmë të zhduket”.

Kjo ndodh dhe kur fëmija humbet prindërit e boshllëku i braktisjes është edhe më ngashëryes, sepse fëmija nuk e ka përvojën e mortit, nuk di t’i japë një emër ngjarjes tronditëse.

Vijnë, prej këndej, pyetje-përgjigjet: “Po ku është mamaja?”. “Ku është babai?”. “E po është në qiell”. “Po pse nuk e shikoj?”. Ky, ngashërimi i thellë, që pushton zemrën e fëmijës. Ndjen se ka mbetur i vetëm në botë.

Vdekja dhe Ringjallja

Sa e sa herë para “vrimës së zezë” të vdekjes, vërejti Papa, ia vëmë fajin Zotit, sepse tepër e madhe është dhimbja, që na pushton e që bëhet edhe më e hidhur e më e padrejtë nga “mëkati i botës”. Urrejtja, kryelartësia, koprracia, zilia, janë bashkëpunëtorët e vdekjes, e ndjenjat familjare, viktima të paracaktuara e të pambrojtura. E pra mund ta pengojmë rënien në zbrazësinë më të errët, siç bëjnë shumë familje, që e dëshmojnë me fakte se vdekja nuk e thotë kurrë fjalën e fundit:

“Të gjitha herët kur familja është në zi, edhe kur ka mort të rëndë, e gjen forcën ta ruajë fenë dhe dashurinë, e cila na bashkon me ata, që duam. E feja e pengon në çast vdekjen të marrë me vete gjithçka. Errësira e vdekjes duhet përballuar me një punë shumë më të rëndë, me dashuri shumë më të madhe”.

Përgjigjja është drita e ringjalljes! Besimi i patundur se Zoti e mundi vdekjen të ngushëllon, vijoi Papa, të mbron nga vizioni nihilist i vdekjes, e edhe nga ngushëllimet e rreme të botës. Vetëm kjo i ndihmon familjet ta mundin dhimbjen e mortit,  me frymën e vëllazërisë e të solidaritetit:

“Të shuemët tanë nuk u zhdukën në errësirën e asgjësë: shpresa na siguron se janë në duart e mira e të forta të Zotit. Dashuria është më e fuqishme se vdekja. Prej këndej, rruga për ta mundur, është ta thellojmë dashurinë, ta bëjmë më të fortë, e dashuria do të na ruajë deri në ditën kur çdo pikë loti do të teret, kur nuk do të ketë më vdekje, as mort, as zi, as kob, as gjëmë (cfr Vap 21,4).

Jezusi do të na i kthejë përsëri të dashurit tanë

Shpresa, që jep feja, përsëriti disa herë Papa, duke u përshëndetur me besimtarët, është akoma në fjalët e Ungjillit të Lukës, ku e ritakojmë “Jezusin, që ia kthen nënës birin, pasi e ka ringjallur”. Kështu do të bëjë, siguroi Papa, edhe me ne e me të dashurit tanë:

“Kjo është shpresa jonë! Të gjithë të dashurit, që shkuan, Zoti do të na i rikthejë në krahë, e ne do të takohemi përsëri me ta. Kjo shpresë nuk zhgënjen! Ta kujtojmë mirë këtë gjest të Jezusit: ‘E Jezusi ia riktheu s’ ëmës”, e kështu do të bëjë Jezusi me gjithë të afërmit e familjes, me gjithë miqtë, dashamirët, të dashurit tanë, që i përcollëm një ditë të mbytur në lot.

E drejta për të qarë

Është e nevojshme, prandaj, përfundoi Françesku, duke iu drejtuar në rradhë të parë barinjve, të mos mohohet e drejta e vajtimit e të shfrytëzohet dëshmia e familjeve që e panë sy më sy vdekjen, pa e humbur besimin në premtimin e Ringjalljes së Zotit. Puna e dashurisë së Zotit është më e fortë se puna e zezë vdekjes. Me këtë dashuri duhet të bashkëpunojmë, me fenë tonë të gjallë.








All the contents on this site are copyrighted ©.