2015-06-17 13:00:00

Ja mrekullia, që mund ta shpejtojë shenjtërimin e Nënë Terezës


Shërimi, shkencërisht i pashpjegueshëm, i një burri brazilian në fazën e fundit të një tumori malinj në tru. Kjo ngjarje e papritur, sipas lajmit që e  lexuam në Vatican Insider,  ka shumë mundësi ta  shpejtojë Shenjtërimin e së Lumes Nënë Terezë. Ta ngrejë në shkallën më të lartë të nderimit të Kishës për bijtë e vet, që e dëshmuan Krishtin, duke ecur besnikërisht pas gjurmëve të Tij mbi tokë. Shenjtërimi ka shumë mundësi të kremtohet gjatë Jubileut të Mëshirës.

Ndërkaq në Santos, shteti i San Paolos, vijon procesi dioqezan lidhur me ngjarjen e mrekullueshme e Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve po mbledh të dhënat mjekësore si dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes. Në Vatikan kanë ardhur një mori sinjalizimesh, që flasin për mrekulli të tjera, me ndërmjetësimin e së Lumes shqiptare, themeluese e Misionareve të bamirësisë. Ndërmjet tyre, edhe një shërim i menjëhershëm e shkencërisht i pashpjegueshëm, në SHBA. Por rasti më i bujshëm, mrekullia më e mundshme për kanonizimin, që Selia e Shenjtë vendosi ta studiojë nga afër, e që ka shumë mundësi të ketë përfundim pozitiv, është pikërisht shërimi i shpejtë e i plotë i besimtarit të dioqezës Santos i cili, ndonëse i sëmurë rëndë, fare pa shpresë shërimi, iu lut me gjithë zemër Nënë Terezës e, pikërisht në çastin e kësaj lutjeje, gjatë tomografisë së kompjuterizuar (tac) u vërejt me habi të jashtëzakonshme se kanceri, që tashmë kishte pushtuar pjesën më të madhe të trurit, qe zhdukur.

Kanë kaluar më se 12 vjet nga Lumnimi i “apostulles së njerëzve të braktisur”, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Gjon Pali II, në praninë, ndërmjet tjerëve, të mijëra shqiptarëve, ardhur nga mbarë bota që, për herë të parë pas një mori ngjarjesh të hidhura, me pasoja të rënda mbi opinionin publik, e ndjenë veten tejet të nderuar e jashtëzakonisht krenarë. Nisën ta shqiptojnë me gojë plot emrin shqiptar, pasuar gjithnjë nga habia e bashkëbiseduesit të huaj, që brohoriste me admirim: “Ah, bashkatdhetar i Nënë Terezës”. Gjë që ndikoi fuqimisht në shërimin e shqiptarëve nga “metastazat” e opinionit të keq. E kjo brohori, edhe asokohe kur Nënë Tereza nuk ishte ende zyrtarisht e Lume, e aq më pak Shenjte, ndonëse këto dy tituj, më të nderuarit në Kishë, ia kishin dhënë qëkuri “të varfërit e saj”, të braktisurit, të flakurit nga radhët e shoqërisë, të dehurit, të gërbulurit, të uriturit, njerëzit që i vdisnin në krahë, duke shqiptuar emrin e shenjtë “Nënë”. Ajo ishte Nëna e miliona jetimëve, që shoqëria nuk donte t’i pranonte si bijtë e vet. Ishte drita e Krishtit, i cili e pati thirrur e i pati thënë “Eja, ji drita ime!”.

Rreth kësaj drite, që ndriçoi vetë ndërgjegjen e botës, ‘u ndezën’ shumë shpejt  dritëza të tjera...

Në vitin 1997 motrat e Nënë Terezës ishin më se 4 mijë, të pranishme në 610 shtëpi misioni, shpërndarë në 123 vende të botës. Më 1997 ajo, që tashmë njihej në të katër anët si “Shenjtja e të varfërve” bekoi Eproren e re, të sapozgjedhur, të Kongregatës së themeluar prej saj dhe shtegtoi edhe një herë jashtë Indisë, atdheut të dytë. Ditët e fundit të jetës i kaloi duke pritur vizitues e duke i lënë porositë e fundit simotrave. Vdiq në Kalkutë, më 5 shtator 1997. Por, a na lejohet ta përdorim foljen “vdiq”? Në sa presim ta shikojmë përsëri në fasadën e Bazilikës së Vatikanit, me atë buzagazin, që nuk iu nda kurrë, duke na kujtuar trashëgimin që na la: fenë e patundur, shpresën e pathyeshme, dashurinë e jashtëzakonshme për Zotin e njeriun. Më të varfërin.

Shenjtërimi i Nënë Terezës do të ishte një nga çastet  më të forta shpirtërore të Vitit Shenjt, që do të hapet më 8 dhjetor 2015.

Gjatë shtegtimit të tij, më 21 shtator, në Tiranë, Papa Françesku i tregoi përkthyesit, përgjegjësit të Programit shqip pranë Radio Vatikanit, Don David Xhuxhës, se e kishte njohur Nënë Terezën gjatë Sinodit të vitit 1994. E Lumja Ganxhe Bojaxhiu ishte grua, së cilës nuk i tutej syri, as nga asambleja e ipeshkvjve. E ta thoshte troç atë që mendonte”, tha Papa. E këtë e  kujtoi gjatë konferencës së rastit, atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit: “Ishte ulur pikërisht pas meje gjatë punimeve të Sinodit, i kishte treguar Françesku don Davidit. E admirova për forcën, për vendosmërinë me të cilën fliste, pa iu trembur fare syri nga gjithë ajo turmë burrash. Thoshte, atë që dëshironte të thoshte”. Pastaj Françesku pati shtuar, duke qeshur: “Do të isha trembur prej Saj, por të kishte qenë eprorja ime”.

Ç’do të thotë Françesku, në se do ta shpallë Shenjte “Nënën e mëshirës”, në një kohë hiri, siç është Viti i Mëshirës? Do të rrojmë e do ta dëgjojmë!








All the contents on this site are copyrighted ©.