2015-06-16 13:00:00

Papa: varfëria e krishterë nuk është ideologji, por qendra e Ungjillit


Nëse hiqet varfëria nga Ungjilli nuk mund të kuptohet mesazhi i Jezusit. Kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë ia kushtoi homelinë ballafaqimit ndërmjet pasurisë e varfërisë, duke komentuar punën e meshtarëve në favor të të varfërve, për të cilën shpesh quhen “komunistë” padrejtësisht.

         Shën Pali Apostull mbledh fonde në Kishën e Korintit për Kishën e Jeruzalemit, që përjetonte çaste të vështira varfërie. Prej këtij leximi u nis Papa për të shtjelluar teologjinë e tij të varfërisë, siç e quajti vetë. Që atëherë, nënvizoi, fjala “varfëri” i bënte njerëzit me turp. Edhe sot, kur njerëzit e Kishës flasin për varfëri, ka nga ata që bezdisen e i quajnë “komunistë”. Por varfëria, theksoi Ati i Shenjtë, është në qendër të Ungjillit e nëse e heqim, nuk do të kuptohej asgjë nga mesazhi i Jezu Krishtit.

Kur feja nuk i prek xhepat, nuk është e sinqertë

         Shën Pali i vë në dukje Kishës së Korintit se pasuria e saj e vërtetë është feja, Fjala, dija, zelli e bamirësia. E pikërisht duke vënë në jetë këto cilësi, të krishterët e Korintit mund të ndihmonin me bujari sivëllezërit e tyre në Jeruzalem:

         “Nëse jeni të pasur në zemër, këtë pasuri kaq të madhe – zellin, bamirësinë, Fjalën e Zotit, dijen e Hyjit – duhet ta lini t’ju prekë xhepat. E kjo është rregull e artë. Kur feja nuk arrin deri tek xhepi, nuk është fe e sinqertë. Është një rregull e artë, që shën Pali e thotë qartë: ‘Ju jeni të pasur me shumë gjëra e tani, po kështu, të jini bujarë me vepra’. Kemi kundërvënie ndërmjet pasurisë e varfërisë. Kisha e Jeruzalemit është e varfër, në vështirësi ekonomike, por e pasur me thesarin e Lajmit të Mirë ungjillor. Kjo Kishë e varfër e Jeruzalemit e pasuroi Kishën e Korintit me kumtimin e Ungjillit; i dha pasurinë e Ungjillit”.

T’ju pasurojë varfëria e Krishtit

         Po kështu, nënvizoi Papa, Kisha e Korintit ishte e pasur materialisht, por e varfër, pasi nuk e njihte Ungjillin. Kur e njohu, akoma pa dhënë asgjë ekonomikisht, e pasuroi Kishën e Jeruzalemit, duke e shtuar Popullin e Zotit. Prandaj, vijoi Ati i Shenjtë, nga varfëria vjen pasuria e anasjelltas: kemi një shkëmbim reciprok. E Papa vuri në dukje themelin e “teologjisë së varfërisë”. “Jezu Krishti, nga i pasur – sepse kishte pasurinë e Zotit – u bë i varfër”, u përul për ne. Prej këndej del domethënia e Lumnisë së parë ungjillore “Lum të varfërit në shpirt”. Pra, të jesh i varfër do të thotë të pasurohesh nga varfëria e Krishtit, të mos duash pasuri tjetër përveçse atë të Krishtit, nënvizoi Papa Françesku:

         “Kur ndihmojmë të varfërit, ne, krishterisht, bëjmë një vepër bamirësie. Kjo është diçka e mirë, njerëzore, por kjo nuk është varfëria e krishterë, që dëshiron shën Pali, që predikon Apostulli. Varfëri e krishterë do të thotë që unë jap nga ç’kam të miat, jo nga ç’kam të tepërt, por edhe nga ç’kam të nevojshme për vete, sepse e di se i varfëri më pasuron. E pse më pasuron i varfëri? Sepse Jezusi ka thënë se Ai vetë është në të varfërin”.

Varfëria e krishterë nuk është ideologji

         Kur i heq vetes diçka, vijoi Ati i Shenjtë, diçka që s’e kam me tepri, për t’ia dhënë të varfërit, pasurohem. Kur veproj kështu, brenda meje e brenda personit, që ndihmoj, vepron Jezusi e na pasuron të dyve, theksoi Papa:

         “Kjo është teologjia e varfërisë; varfëria është në qendër të Ungjillit; kjo s’është ideologji. Është pikërisht ky mister, misteri i Krishtit që u përul, u poshtërua, u varfërua për të na pasuruar. Vetëm kështu kuptohet pse Lumnia e parë është “Lum të varfërit në shpirt”. Të jesh i varfër në shpirt do të thotë të ecësh udhës së Zotit: varfëria e Zotit, që përulet shumë, që bëhet ‘bukë’ për ne, përmes flijimit. Vazhdon të përulet gjatë historisë së Kishës, në kujtimin e Mundimeve të Tij, në kujtimin e përvujtnimit të Tij, në kujtimin e varfërisë së Tij e, me këtë ‘bukë’ Ai na pasuron”.








All the contents on this site are copyrighted ©.