2015-06-15 15:41:00

Papa bisedon me presidentin e Kolumbisë për Paqen e progresin shoqëror


Françesku priti sot në audiencë presidentin e Kolumbisë, Juan Manuel Santos Calderón, i cili më pas u takua edhe me kardinalin Pietro Parolin, sekretar  i Shtetit të Vatikanit si dhe me imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës vatikanse të Shtypit, u kujtuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kolumbisë, duke nënvizuar kontributin që ka dhënë e vijon të japë Kisha katolike në favor të progresit njerëzor, shoqëror e kulturor të popullsisë”.

Të vijojnë bisedimet për Marrëveshjen e paqes

Ndërmjet argumenteve, që u prekën gjatë takimit, vijon komunikata, vëmendje e posaçme iu kushtua procesit të pajtimit, që vijon në vend, bisedimeve të ndërlikuara për realizimin e  tij dhe perspektivave, që mund të hapë realizimi i marrëveshjes për paqen. Së fundi, u shkëmbyen mendime lidhur me situatën politike e shoqërore rajonale, me vëmendje të posaçme mbi përpjekjet për sigurimin e stabilitetit në vendet e kësaj zone, për zhvillimin e tyre të barabartë e të harmonishëm dhe promovimin e kulturës së respektimit të ligjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.