2015-06-15 15:50:00

Françesku: nuk mund të shtyhet më bashkimi i të krishterëve


Kërkesa për “ungjillëzimin e  ri” sot, na nxit të mos e shtyjmë më për asnjë çast “bashkimin e dukshëm të të krishterëve”. E vuri në dukje Papa në fjalimin drejtuar delegacionit të Republikës Çeke, ardhur në Romë për të kremtuar një Liturgji Pajtimi me rastin e 600-vjetorit të vdekjes së predikatarit reformator bohem, Jan Hus, djegur mbi turrën e druve në vitin 1415 në Konstancë. I pranishëm në audiencë  edhe kardinali Miroslav Vlk, kryeipeshkëv nderi i Pragës: “Uroj të shikohen me sy të rinj, problemet e vjetra, që shkaktuan konflikte, për të përparuar së bashku në udhën e pajtimit e të paqes”.

Ky, urimi i Papës Françesku drejtuar delegacionit të Kishës çekosllovake husite dhe Kishës ungjillore të Vëllezërve çekë: “Të mësojmë, për hir të Zotit, që ta  pranojmë njëri–tjetrin si miq e t’i shikojmë arsyet e tjetrit në dritën më të mirë të mundshme”- vijoi Ati i Shenjtë.

Duke folur për  forcimin e lidhjeve të miqësisë, edhe në nivelin e bashkësive lokale e famullitare, Papa nënvizoi se është e nevojshme të përtërihen e të thellohen marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve. Duke kutjuar se Jezusi “natën e mundimeve e të vdekjes së Tij iu lut Atit për bashkimin e dishepujve të vet”, Françesku vuri në dukje detyrën për t’u njohur gjithnjë më thellë e për të bashkëpunuar gjithnjë më mirë: “Shumë grindje të së kaluarës duhen rishkuar në dritën e rrethanave të reja, në të cilat jetojmë. Marrëveshjet dhe afrimet mund të realizohen vetëm nëse i shikojmë konfliktet e vjetra, me një sy të ri”.

Besojma e përbashkët e fesë “në Hyjin Atë, në Birin e në Shpirtin Shenjt” në të cilën u pagëzuam, shtoi Papa, na lidh kahmot me hallka vëllazërie. Kaluan gjatë shekuj, reflektoi, nga vdekja tragjike mbi turrë të druve e predikatarit dhe rektorit të famshëm  të universitetit të Pragës, Jan Hus. E  më pas kujtoi se, më 1999, shën Gjon Pali II shprehu hidhërimin e thellë për këtë vdekje mizore, duke e radhitur Jan Husin ndërmjet “reformatorëve të Kishës”:

“Duhet vijuar studimi mbi personalitetin dhe veprimtarinë e Jan Husit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë objekt kundërvëniesh ndërmjet të krishterëve, ndërsa sot është bërë burim dialogu. Ky kërkim pa kushte të tipit ideologjik, do të jetë shërbim i rëndësishëm, që i bëhet së vërtetës historike, gjithë të krishterëve dhe mbarë shoqërisë, edhe përtej kufijve të kombit tuaj”.

Papa përfundoi duke kujtuar rrugët e reja ekumenike, që u hapën pas Koncilit II të Vatikanit, drejt bashkimit të plotë të të krishterëve.

Bashkimi i dukshëm, tha në përfundim Françesku, do ta bëjë shumë më të besueshëm kumtimin, prej këndej, iu lut Zotit të japë hirin që të gjithë ta pranojnë se janë mëkatarë e të dinë edhe ta falin njëri-tjetrin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.