2015-06-15 14:05:00

Françesku: ta ruajmë zemrën nga “zhurma pagane”


I krishteri duhet të mësohet ta ruajë zemrën nga “pasionet” e nga “zhurmat” e botës, që të jetë gjithnjë gati për ta pranuar në çdo çast hirin e Hyjit. Ky, reflektimi i Papës Françesku në homelinë e mbajtur gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e  Shën Martës.

Ka një çast të favorshëm për ta pranuar dhuratën pa shpërblim të Hirit të Hyjit, e ky çast është “tani”. I krishteri, pohoi Papa Françesku, duhet të jetë i vetëdijshëm, ta ketë zemrën të përgatitur për ta pranuar këtë dhuratë, një zemër të zbrazur a të pastruar nga “zhurma e botës”, që pastaj, është “zhurmë e djallit”.

Të kuptohet koha e Zotit

Reflektimi i Papës u frymëzua nga të dy Leximet e liturgjisë. Nga Shën Pali Françesku mori nënvizimin sipas të cilit “nuk duhet pranuar më kot hiri hyjnor”, që shfaqet, kujton Apostulli, “tani”. E kjo do të thotë, vërejti Papa, se Zoti na e rijep në çdo kohë hirin e Tij, “dhuratën”, për të cilën nuk na kërkon kurrë e kurrëfarë shpërblimi. Ta pranojmë, pra, nxit Françesku, duke mos harruar se Shën Pali thotë edhe: “Nga ana jonë, të mos i japim shkas shkandulli askujt”:

“Është shkandulli i të krishterit, që e quan veten i krishterë, shkon edhe në Kishë, ndjek të dielave edhe meshën, por jeton si të mos ishte i krishterë, jeton si njeri, që i takon botës, si pagan. E kur një njeri është i këtillë, s’ka sesi të mos shkandullojë. Sa e sa herë kemi dëgjuar në lagjet tona, në dyqanet tona: “ Shikoje këtë a atë, çdo të diel e ke në meshë, e pastaj bën këtë e atë e atë...’.E njerëzia shkandullohet. Ndodh ajo, që Pali na e kujton me fjalët: ‘Të mos e pranojmë më kot!’. E si duhet ta pranojmë, atëhere? Para së gjithash, është çasti i favorshëm. Duhet të jemi gjithnjë plot vëmendje, për ta kuptuar kohën e Zotit, për ta ndjerë hapin e Tij, kur kalon nëpër zemrën tonë”.

Zemër e lirë nga pasionet

E i krishteri arrin ta ketë këtë vëmendje, shpjegoi Papa, kur krijon kushte për ta “ruajtur zemrën”, duke u larguar nga çdo zhurmë, që nuk vjen nga Zoti. Duke u larguar nga gjërat, që na e rrëmbejnë paqen e shpirtit. Zemra duhet të jetë e lirë nga pasionet, ato që në fragmentin ungjillor, vëren Françesku, Jezusi i përmbledh në fjalët ‘sy për sy’, duke i kthyer përmbys  perspektivat e duke porositur: “sille edhe faqen tjetër, kur ta shplakojnë njërën”, e ‘bëj dy milje, së bashku me atë, që të detyroi të bësh vetëm një’:

“Të jesh i lirë nga pasionet e të kesh zemër të përvujtë, zemër të butë. Zemrën e ruan përvujtëria, butësia, kurrë ndeshjet, grindjet, luftërat. Jo! Kjo është zhurma: zhurma e botës, zhurmë pagane, zhurmë e djallit. Larg saj, kush dëshiron ta ketë zemrën në paqe. ‘Mos i jep shkas për shkandull askujt’, na rikujton Pali, që shërbesa jonë të mos kritikohet’. Flet kështu për shërbesën e, njëkohësisht, edhe për dëshminë e krishterë, që të mos kritikohet”.

Të ditur e dashamirë

Ruaje zemrën, për të qenë i Zotit, ose, siç kujton Shën Pali, ruaje në  trazira, në  nevojë, në ankth, në të rrahura, në turbullime, në lodhje, në pagjumësi, në agjërim:

“Po gjithë këto janë gjëra të këqija e unë duhet ta ruajë zemrën time, për të pranuar dhuratën pa shpërblim të Zotit? Po! E si t’ia bëj? Me ç’rrugë ta arrij këtë?’ Vijon Pali: ‘Me pastërti, me dije, me shpirtmadhësi, me  dashamirësi, me frymën e shenjtërisë’. Me përvuajtërinë, mirëdashjen, durimin, që i ka sytë vetëm tek Zoti, e zemrën të hapur për Zotin, kur kalon!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.