2015-06-14 14:22:00

Françesku: të gjithë duhet të kujdesen me përgjegjësi për gjithësinë


“Uroj që të gjithë ta marrin mesazhin e ta ndjejnë fort përgjegjësinë për shtëpinë e përbashkët, që Zoti ua besoi të gjithëve”. Është urimi i Papës Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi kujtoi se të enjten e ardhshme do të paraqitet Enciklika e tij  kushtuar kujdesit për krijimin.

Pasdite, në orën 18.00, Papa do të jetë rishtas në Sheshin e  Shën Pjetrit, për hapjen Kuvëndimit të dioqezës së tij të Romës, kushtuar, për vitin 2015, lidhjes ndërmjet familjes dhe edukimit.

E vocërr! Madje pafundësisht! E gjithë Mbretëria e Hyjit është një farëz, pa kurrfarë peshe. E padukshme. Gjithçka përmblidhet në Ungjillin e  vogël, që secili nga ne mund ta mbajë në çantë a në xhep e ta lexojë çdo ditë. Por është edhe e madhe, sa toka, që Zoti vetë na e dhuroi  si shtëpi për të jetuar të gjithë së bashku e që, pikërisht sepse është e përbashkët, duhet ruajtur e duhet mbrojtur nga të gjithë.

Papa e nisi lutjen e Engjëllit të Tënzot duke komentuar shëmbëlltyrën e Mbretërisë së Hyjit të liturgjisë të së dielës, për ta mbyllur, pastaj me  njoftimin, që tingëlloi më shumë si thirrje universale, për ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit:

“Të enjten e ardhshme do të botohet Letra Enciklike kushtuar kujdesit për krijimin. Ju ftoj ta ndiqni këtë ngjarje duke i kushtuar vëmendje  situatave të zhvleftësimit ambiental, por edhe të riaftësimit në trojet tuaja. Kjo Enciklikë u drejtohet të gjithëve: të lutemi që të gjithë ta marrin mesazhin e saj e  ta kuptojnë përherë e më mirë përgjegjësinë  ndaj shtëpisë, të cilën  Zoti ua besoi të gjithëve”.

Enciklika mbi mbrojtjen e krijimit është në përkim të plotë me shembujt nga mjediset bujqësore, prej nga Jezusi e merr shtytjen për shëmbëlltyrat e Tij mbi farën, që mungullon e kokërrzën e senapit. Një kurrgjësend, që syri njerëzor mezi e dallon, e që, megjithatë, ka brenda forcën e mbirjes e të rritjes. Nga e vogël që është, arrin të bëhet  pemë vigane, mjafton, pohoi Françesku, që zemra ku bie kjo farë, të jetë tokë e pëlleshme:

“Zoti ia besoi Fjalën e tij tokës sonë, domethënë, secilit nga ne, me natyrën tonë konkrete njerëzore. Mund të jemi plot besim, sepse Fjala e Zotit është fjalë e ngarkuar me frymë krijuese, e paracaktuar të bëhet ‘kokërr e plotë në kallëz’. Kjo fjalë, nëse pranohet, sjell sigurisht shumë fryt, ngaqë është vetë Zoti, Ai që e bën të mbijë e të piqet, përmes udhëve, të cilat ne jo gjithnjë mund t’i kontrollojmë e në një mënyrë, që  ne nuk e  dimë”.

Mënyrën e di Zoti, pohoi Papa, sepse, vijoi, është gjithnjë Ai, që e bën të madhërohet Mbretërinë e vet, ashtu si na e kujton Atyna. Njeriu është thjesht bashkëpunëtori i Tij i përvuajtur, që kundron e ngazëllehet nga vepra krijuese hyjnore e pret, durimtar, frytet. Edhe ata, që mund të lindin nga një realitet tejet i vogël, parë me sytë e njeriut, fare i parëndësishëm, që pak e kujt i bie në sy:

“Për të hyrë e për të bërë pjesë në të, duhet të jemi të varfër në zemër: të mos mbështetemi në aftësitë tona, por në pushtetin e dashurisë së Zotit; të mos veprojmë për t’u dukur me rëndësi para syve të botës, por për të qenë të çmuar para syve të Zotit, që zgjedh për vete pikërisht njerëzit e thjeshtë, zemërbutë të përvujtë. Kur jetojmë kështu, përmes nesh shpërthen fuqishëm forca e Krishtit, e cila e shndërron të voglën e të pavlerën, në një tharm, që e mbrun gjithë masën e botës e të historisë”.

Vepra jonë e ligshtë, në dukje krejt e vogël, përballë lëmshit të ngatërruar të problemeve të botës, nëse radhitet në veprën e Zotit, nënvizoi Françesku, nuk ka kurrfarë frike  përballë vështirësive:

“Fitorja e Zotit është e sigurt, dashuria e Tij bën të mbijë e të rritet çdo farë e mirë, e pranishme mbi tokë. Kjo na mbush me besim e shpresë, me optimizëm e galdim, pavarësisht nga dramat, padrejtësitë e vuajtjet që ndeshim në rrugët e jetës. Fara e së mirës, fara e paqes, mbin e rritet, sepse mbin e rritet nën rrezet e ngrohta të dashurisë së mëshirshme të Zotit”.

Në përfundim, duke përshëndetur mijëra njerëz të ardhur nga anë e anës për  lutjen e mesditës të së dielës, shoqëruar me bekimin apostolik, hir për një javë të tërë, Papa theksoi edhe një herë se i mbështet plotësisht të gjithë punëtorët, që e mbrojnë në mënyrë solidare të drejtën për punë, e cila – theksoi me forcë – është e drejtë në mbrojtje të dinjitetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.