2015-06-13 18:26:00

Papa Csm: drejtësia e pasur me vlera frenon, por edhe edukon


Drejtësia nuk vepron në mënyrë abstrakte e për ta mbarështuar, duke iu kundërvënë korrupsionit e kriminalitetit, duhet që institucionet të vënë në jetë një strategji me frymëmarrje të  thellë, gjithnjë në shërbim të njeriut. Ky, thënë me dy fjalë, mendimi që shprehu Papa për rolin e drejtësisë në jetën e njeriut, në fjalimin drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjykatës italiane, të cilët i priti në audiencë në Sallën Klementine, në Vatikan.

Të japësh një vendim kundër një krimi e ta dënosh autorin, nuk është përgjegjësi që mund të ushtrohet pa u mbështetur mbi një kuadër vlerash. E vlera e vlerave është krishterimi, që i dha njeriut më të lartin dinjitet, atë të birit të Hyjit.

 Françesku e pohoi këtë vizion në takimin me anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjykatës italiane (Csm), duke e lidhur ngushtë me  realitetin aktual të globalizimit, që arrin të kushtëzojë deri mbarështimin e drejtësisë, duke shkaktuar konfuzion e çorientim.

Papa e ftoi botën e gjykatës të kontribuojë, së bashku me forcat e tjera institucionale, për t’i bërë më të forta e më të qëndrueshme bazat e bashkëjetesës njerëzore, duke u mbështetur edhe mbi traditën e krishterë e mbi themelin e saj, që është dashuria për Zotin e për të afërmin. Themel, shtoi, që mund të bëhet pritë e fortë edhe kundër përhapjes së kriminalitetit në shprehjet e tij ekonomike e financiare, si dhe kundër plagës së hapur në gjirin e shoqërisë, që quhet korrupsion e që nuk mungon edhe në demokracitë më të zhvilluara:

“Është e nevojshme të ndërhyhet jo vetëm në çastin e marrjes së masave për zhdukjen e krimeve, por edhe në veprimtarinë edukative, sidomos me breznitë e reja, duke u ofruar një antropologji jo relativiste e një model jete, që është në gjendje t’u përgjigjet ëndrrave më të fisme të shpirtit njerëzor. Në këtë drejtim, institucionet janë të thirrura të rikrijojnë një strategji me frymëmarrje të thellë, që të vihet plotësisht në shërbim të njeriut e të bashkëjetesës paqësore”.

Nuk harroi, Papa të vërë theksin edhe mbi të drejtat, që përbëjnë thelbin e njohjes së dinjitetit të njeriut,  e as mbi mbrojtjen e tyre, gjë që nuk duhet bërë me praktika e sjellje të cilat, në vend që ta promovojnë e ta garantojnë dinjitetin, e kërcënojnë, madje edhe e dhunojnë. Drejtësia nuk bëhet në mënyrë abstrakte, por duke pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes njeriun me vlerën e tij të mirëfilltë, si qenie e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, e me thirrjen që ta realizojë këtu, mbi tokë, këtë shëmbëllim.

Mendimi i fundit i Papës ishte ai, kushtuar Vittorio Bachelet, ish-kryetar i Csm, vrarë 35 vjet më parë nga Brigadat e Kuqe. “Dëshmia e tij, si njeri, si i krishterë e si jurist - uroi - e frymëzoftë angazhimin tuaj në shërbim të drejtësisë e të së mirës së përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.