2015-06-12 14:15:00

Mbledhja plenare e Roaco për të krishterët e Lindjes së Mesme, Armenisë, Etiopisë, Eritresë


Nga 15 deri më 17 qershor, në Vatikan do të zhvillohen punimet e  mbledhjes plenare vjetore të Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore). Mbledhja do të fillojë të hënën në mëngjes, me audiencën  tek Papa Françesku, që do t’i presë përfaqësuesit e veprave të ndryshme të ndihmës, posaçërisht aktive në favor të Kishave katolike lindore. Ashtu si në vitet e mëparshme, njofton një komunikatë e Kongregatës për Kishat lindore, një seancë do t’i kushtohet situatës në Siri, duke përfshirë edhe  Irakun, pas zhvillimeve tragjike të kohëve të fundit  në zonë, që dëmtojnë rëndë edhe besimtarët e Kishave lindore. Sipas programit, pritet të flasë sekretari i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Gallagher; nunci apostolik në Damask, kryeipeshkvi Mario Zenari dhe sekretari i “Cor Unum”, imzot Giampietro Dal Toso. Do të paraqiten edhe rezultatet e vizitës së kardinalit prefekt Leonardo Sandri në Irak: posaçërisht në Bagdad, Erbil e Dohuk, ku u takua me refugjatët, ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, i shoqëruar nga një delegacion i Roaco, i përbërë nga përfaqësues të agjencive më aktive në këtë zonë.

Të martën, 16 qershor, kryetari i Roaco, kardinali Leonardo Sandri, do të kremtojë Meshën në Kishën e Shën Shtjefnit të Abisinëve, prani historike lindore brenda mureve të Vatikanit. Gjatë Meshës, të pranishmit do të luten për paqen në Lindjen e Mesme, por edhe në Ukrainë, ku është e pranishme Kisha greko-katolike. Natyrisht do të jehojë edhe lutja për bamirësit e gjallë e të vdekur të Kishave lindore-katolike. Me rastin e përkujtimit të 100-vjetorit të “Medz Yeghern”, që goditi rëndë popullin armen, vijon komunikata, një nga seancat do t’i kushtohet  Kishës armene katolike në Evropën Lindore, duke kujtuar edhe praninë e saj në Amerikë, në Gjeorgji e në Rusi. Në këtë rast do të flasë kryeipeshkvi i kësaj Kishe, imzot Raphael Minassian, si dhe specialistë të tjerë të veprave të ndihmës. Në vijim, pjesëmarrësit do të kenë rastin të njihen me Institutin Papnor Armen, në Romë.

Në një seancë, në vijim, do të studiohet situata në Kishën etiopike, me praninë e kreut të saj, kardinalit të ri Berhaneyesus D. Souraphiel CM dhe në Kishën eritrease, ngritur, kohët e fundit, nga Papa, në “Kishë metropolitane sui iuris”, me praninë e kreut të saj, metropolitit Menghsteab Tesfamariam. Gjatë punimeve, si zakonisht, do të shqyrtohet situata kishtare në Tokën Shenjte, duke verifikuar njëkohësisht edhe ndërhyrjet që janë bërë, falë lësmoshëve të mbledhura  të Premten e Madhe. Në  mbledhje do të jetë i pranishëm edhe delegati apostolik i Jeruzalemit, kryeipeshkvi Giuseppe Lazzarotto; ish-nunci apostolik Antonio Franco; Rojtari i Tokës Shentje, atë Pierbattista Pizzaballa OFM si dhe zëvendës-kancelari i Universitetit të Betlehemit, atë Peter Bray.

Qëllimi kryesor i punimeve, që do të përfundojnë të mërkurën,  më 17 qershor, nënvizohet akoma në komunikatë, është të vihet theksi mbi veprimtaritë më urgjente: të ungjillëzimit dhe të bamirësisë, për t’i koordimuar, kështu, nga ana e Roaco, si gjest solidar i Kishës universale. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.