2015-06-12 19:33:00

Kosova shënon 12 qershorin


Ditë e 12 qershorit është ditë e shënuar për Kosovën, e cila feston përvjetorin e fundit të luftës me forcat serbe të Sllobodan Millosheviqit. E në kuadër të shënimit të Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot një seancë festive. Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë, pas bombardimeve që vazhduan për 78 ditë më radhë.

E kush nuk i kujton radhët e gjata me qytetarë kosovarë, që të dëbuar e të detyruar kapërcenin të tmerruar kufirin me Shqipërinë, për të ikur nga persekutimet e masakrat serbe?! Akoma sot, numërohen me qindra njerëz të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet. Me ndryshimin e regjimit në Serbi, janë gjetur disa varre masive, ku millosheviçianët e dikurshëm patën hedhur kufomat e shqiptarëve kosovarë, por kjo plagë mjerisht mbetet ende e hapur.

Sot Kosova është Shtet i lirë e sovran,  me të gjitha perspektivat por edhe shqetësimet, e sidoqoftë shpresat për një të ardhme më premtuese e të mirë, për të gjithë qytetarët, duhen kultivuar për të ndërtuar me kontributin e të gjithëve, një shoqëri mbi themele të shëndosha e të sigurta dhe një qytetërim vërtetë të drejtë, të barabartë, gjithëpërfshirës, njerëzor e demokratik.








All the contents on this site are copyrighted ©.