2015-06-12 14:06:00

Françesku: të ndjehet fort edhe në aeroporte mëshira e Zotit


Të kumtohet Ungjilli edhe në aeroporte, duke u çuar të gjithë atyre që shtegtojnë a që punojnë, mëshirën e Zotit. Këtë pohoi Papa në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve në Seminarin botëror të kapelanëve katolikë të Aviacionit civil, organizuar nga Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët. Papa nënvizoi se sot ndjehet fort urgjenca për ta zbuluar fytyrën e mëshirshme të Zotit.

Në fillim të takimit, Françeskun e përshëndeti kardinali Antonio Maria Vegliò.

Asnjë vend nuk duhet të jetë i huaj për kumtimin e Ungjillit. As aeroportet, që tashmë janë “qytet në qytet”. Kjo, porosia e Papës drejtuar kapelanëve, të cilëve u kërkoi t’u ofrojnë ndihmë njerëzore e shpirtërore të gjithë atyre, që  kalojnë ose punojnë në strukturat e aeroporteve.

Kujdes i veçantë për emigrantët, refugjatët e kërkuesit e strehimit

Papa kujtoi posaçërisht ata, që udhëtojnë në situata urgjence, si emigrantët, e refugjatët, të cilët kanë shumë nevojë për kujdes të veçantë:

“Vjen, pastaj, numri shqetësues i udhëtarëve pa dokumente, shpesh herë refugjatë, ose në kërkim të strehimit, që mbahen në lokalet e aeroporteve për periudha të shkurtëra ose të gjata, nganjëherë pa kurrfarë asistence  njerëzore, as shpirtërore”.

Nuk harroi, Ati i Shenjtë, as situatat e tjera tragjike, si pirateria ajrore ose aksidentet, në të cilat kapelani është i thirrur dhe i kërkuar nga ata, që kanë nevojë për ngushëllim e inkurajim.

Urgjente, të rizbulohet fytyra e mëshirshme e Zotit

Më pas Françesku vuri theksin mbi mëshirën e Zotit që, porositi, duhet të ketë vend gjithherë e gjithkund, edhe në aeroporte:

“Në ditët tona, të kumtosh Ungjillin do të thotë t’i lehtësosh njerëzit nga barrët që u rëndojnë mbi zemër e mbi jetë; do të thotë t’u propozosh fjalën e Jezusit,  në vend të  premtimeve të botës, që nuk ta japin kurrë lumturinë e vërtetë. Sot është më urgjente se kurrë të rizbulohet fytyra përdëllyese e Zotit e, prej këndej, do të jetë  tejet e çmuar koha e hirit, që do të ofrojë Viti Shenjt i Mëshirës”.

Kapelania e aeroportuale, kujtoi, është e thirrur të jetë vend uniteti në mes të larmive, për të gjitha kategoritë e njerëzve. Si një “qytet i madh”, vijoi Papa, aeroporti është mjedis kozmopolit, shumetnik e shumëfetar e kapelanët, të lidhur ngushtë me jetën e kësaj bashkësie krejt të veçantë, duhet të bashkëpunojnë për të krijuar unitet në larmi.

Edhe në aeroporte, të dëshmohet dashuria dhe dialogu

Misioni në aeroport, shtoi Papa, kërkon të punohet në mënyrë të tillë, që njerëzit të kenë dëshirë ta dëgjojnë Fjalën e Zotit e të besojnë në mëshirën hyjnore, strehë e sigurt për të ligështin, shpresë e madhe, për njeriun që nuk pretendon të shpëtojë vetveten:

“Të dashur vëllezër e motra, ju inkurajoj të punoni që në këto vende të veçanta, si aeroportet, të ketë gjithnjë hapësirë për ta gjetur e për ta praktikuar dashurinë dhe dialogun, që ushqejnë vëllazërimin ndërmjet njerëzve e krijojnë një atmosferë shoqërore paqësore. E lus, së bashku me ju, Zotin, që apostullimi juaj, pjesë përbërëse e misionit universal të Kishës, të jetë i frytshëm në shpalljen e Lajmit të Mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.