2015-06-12 12:02:00

Editorial i revistës “Civiltà Cattolica” mbi enciklikën e ardhshme të Papës


Në magjisterin e Papës Françesku, “duket qartë, që në fillim, një këndvështrim global, gjithëpërfshirës, në vazhdimësi me paraardhësit e vet. Njeriu, natyra dhe ambienti, krijimi e shoqëria, janë të lidhura ndërmjet tyre”. Kështu lexohet në editorialin e numrit të fundit të revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica” (“Qytetërimi Katolik”), në të cilën, në prag të botimit të enciklikës së re të Papës Françesku, kushtuar ambientit, pasqyrohet përmbledhtas rruga ekologjike, këshilluar nga Papët gjatë 50 vjetëve të fundit. Papa Françesku, në fillim të papnisë, pati deklaruar se mbrojtja e gjithçkaje, që ka krijuar Zoti, është shërbim e detyrë e ipeshkvit të Romës.

Fjala kyç është “harmonia”

Një nga fjalët kyç, që përdor shpesh Ati i Shenjtë e që me siguri, zë vend në enciklikën ku flet për ekologjinë njerëzore, një koncept më i zgjeruar se ajo e ambientit, është “harmonia”, në gjendje të shtrihet mbi të gjitha krijesat e Zotit, sepse është dhuratë e Hyjit, që ka të bëjë me gjithësinë e me marrëdhëniet ndërmjet qënieve të gjalla. “Ky këndvështrim i gjerë, i vëmendshëm ndaj marrëdhënieve e jo vetëm ndaj njeriut, të konceptuar si qendër, – komenton “Civiltà Cattolica” – ngre pikëpyetje për ndikimin e përparimit ekonomik, të teknologjive të reja dhe të sistemit financiar mbi njeriun dhe mbi ambientin”. Për Papën Françesku, ekologjia nuk është vetëm çështje ekonomie, por edhe problem etik e antropologjik. Thirrjes për ta mbrojtur ambientin, të kuptuar në këtë mënyrë, nuk i duhen përgjigjur vetëm të krishterët, por të gjithë, duke pasur parasysh ç’shkruhet në Librin e Zanafillës dhe në Këngën e Kreatyrëve të shën Françeskut të Asizit.

Një koment edhe për ndryshimet e klimës

Megjithatë, Papa Françesku nënvizon se Kisha nuk është një organizatë jo qeveritare e tipit të të gjelbërtve. Ajo reflekton mbi zhvillimin aktual të botës, duke pyetur nëse ndryshimi i klimës varet nga njeriu, apo është proces ciklik i natyrës, apo ndoshta, shkaktohet nga të dyja palët. E nëse njihet shkaku, a mund të bëhet diçka? Sipas revistës së jezuitëve, Ati i Shenjtë e trajton çështjen duke pasur parasysh pikpamjet shkencore mbi ndryshimin e klimës, mbi pasojat e mbi zgjidhjet e mundshme të problemeve, por përdor edhe fenë, mësimet e Kishës, informacionet e këshillat më të mira që ka në dispozicion, për të vënë në dukje se është detyrë e jona të gjykojmë, të marrim vendime e të veprojmë.

Objektivi i Enciklikës

Qëllimi i Enciklikës, përfundon editoriali, nuk është “të spekullojë, ose të mbrojë këtë apo atë teori, por t’i ftojë njerëzit vullnetmirë ta kenë mirë parasysh përgjegjësinë për brezat e ardhshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.