2015-06-11 14:24:00

Papa, në takimin me FAO-n: luftë kundër urisë, pa interes


Të gjithë kanë të drejtë të kenë ushqimin e nevojshëm, prandaj lufta kundër urisë duhet bërë pa shikuar interesat. Papa Françesku takoi sot pjesëmarrësit në Konferencën e 39-të të Organizatës së OKB-së për Ushqimin e Bujqësinë, FAO, të cilëve u kërkoi të mos bëhen skllevër të konsumizmit e të ndryshojnë marrëdhëniet e njerëzve me burimet natyrore e me përdorimin e tokës. Para statistikave, që thonë se 1 miliard e 200 milion të uriturit e 1992-shit janë zvogëluar në numër, Ati i Shenjtë nënvizoi se është e nevojshme të zhduket uria, por duhen projekte e impenjime për t’iu përgjigjur konkretisht të uriturve, përmes zhvillimit bujqësor, në mënyrë që e drejta për t’u ushqyer t’u sigurohet të gjithëve pa përjashtim.

Uria, argument jo popullor

         “Në këtë angazhim – akuzoi Papa – mbeten pika kritika. Së pari, më duket e vështirë të pranohet një lloj dorëzimi i përgjithshëm, çinteresimi ose edhe mungesa nga ana e shumë aktorëve, edhe nga ana e shteteve. Nganjëherë, të krijohet përshtypja se uria është agrument jo popullor, problem i pazgjidhshëm, i papërballueshëm në harkun e një mandati legjislativ, ose presidencial, prandaj nuk siguron konsensus”.

         Për Atin e Shenjtë, shpesh, vendet e industrializuara justifikohen me faktin se edhe ato kanë të varfër, por, nënvizoi Papa, gjendja e tyre zgjidhet me politika shoqërore, ndërsa në vendet e varfëra, pikërisht varfëria është problem strukturor e nuk zgjidhet aq lehtë. Françesku bëri thirrje për solidaritet: politikë për tjetrin.

Spekullimi financiar përcakton çmimet e ushqimeve

         Më pas, Ati i Shenjtë foli për tregun botëror e për ndikimin e tij në çmimet e ushqimeve. Shkaqet e urisë janë të shumta, nënvizoi, duke kujtuar rritjen e çmimeve të prodhimeve bujqësore, edhe nga ndryshimet e klimës. Por, “nuk mund të harrojmë spekullimin financiar – vijoi më tej. Shembull janë çmimi i grurit, i orizit, i misrit, i sojës, që lëviz në bursë, madje lidhet edhe me fonde rendimenti, prandaj, sa më i lartë është, aq më shumë fiton fondi”.

         Papa Françesku nënvizon se prodhimet e tokës kanë vlerë, që mund ta quajmë “të shenjtë”, sepse janë fryt i punës. Për këtë duhet të bindemi të gjithë, në mënyrë që t’i konsiderojmë si duhet.

Shqetësuese, blerja e terreneve nga shoqëritë shumëkombëshe

         Më pas, Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen ndaj përdorimit të ujit dhe të terreneve, duke shprehur shqetësimin për blerjen e tokës së kultivueshme nga ana e shoqërive shumëkombëshe, që cënon madje edhe sovranitetin e vendeve. Papa denoncoi gjendjen e popullsisë lokale, e cila varfërohet gjithnjë e më tepër, si edhe atë të grave, që nuk i zotërojnë fushat në të cilat punojnë, me mundësinë për ta humbur punën në çdo çast.

Jo gjithnjë ndihmat përfundojnë në duart e duhura

         Ndihmat e emergjencës nuk mjaftojnë e nuk përfundojnë gjithnjë në duart e duhura, theksoi Françesku. “Për të garantuar ushqimin – shpjegoi Ati i Shenjtë – duhet nxitur prodhimi lokal, që në shumë vende me uri kronike, zëvendësohet me pako të ardhura nga jashtë, fillimisht, përmes ndihmave. Kështu krijohet varësi nga prodhuesit e mëdhenj”.

         Nëse një vendi i mungon disponibiliteti i nevojshëm ekonomik, popullsia nuk ushqehet si duhet e uria shtohet, përfundoi Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.