2015-06-11 11:12:00

Atë Lovro Gavran: Papa Françesku, njeri i mrekullueshëm


Françeskani Atë Lorenci Gavran analizon vizitën e Atit të Shenjtë Papa Françesku në Sarajevë, të shtunën më 6 qershor 2015. Në kryeqytetin e Bosnjës e Hercegovinës, Papa Bergoglio, popullsive e komuniteteve të ndryshme, u tregoi udhën e pajtimit e të ndërtimit “së bashku drejt së ardhmes paqësore e vëllazërore” përmes tri fjalëve: memoria, falja, dialogu. Ja përshtypjet e Atë Lorencin Gavran, Provincial i Françeskanëve të Bosnjës e asistent i Ministrit Gjeneral të Fretërve të Vegjël për Provincën 'Zoja Nunciatë' të Shqipërisë e të Malit të Zi, ta dëgjojmë....

Për herë të parë në historinë e Provincës sonë françeskane të shën Kryqit një papë, papa Françesku, erdhi si mik në Provincialatin tonë në Sarajevë. Është nder fort i madh për një provincial ta presë një papë në shtëpinë e vet – e këtë hir Zoti na ka dhënë neve para disa ditëve. Faleminderit Zotit dhe faleminderit papës, sepse e ka zgjedhur shtëpinë tonë si vend të takimit ndërfetar në Sarajevë!

Papa Françesku është miku më i dëshirueshëm në çdo vend të botës, jo vetëm si eprori suprem i Kishës Katolike, por thjesht si një njeri i mrekullueshëm, i cili para së gjithash vetë e jeton Ungjillin e Jezu Krishtit, e vetëm pastaj të njëjtën gjë u flet dhe predikon edhe të tjerëve. Ashtu ishte edhe me vizitën e tij Bosnjës dhe Hercegovinës, në Sarajevë, të shtunën, më 6 qershor 2015.

Megjithëse tashmë mjaft mirë e njohim papën, ai posa erdhi, shumë të pranishëm (e sidomos përfaqësuesit e pushtetit) i befasoi me zgjedhjen e makinës së thjeshtë, që mund ta kenë edhe qytetarë më të varfër, në vend të ndonjë makine luksoze, që u ka hije personaliteteve të lartë, sikurse është ai. Thjeshtësia dhe modestia e tij në marrëdhënie me qytetarë, e sidomos me fëmijë dhe me rini, është e njohur të gjithëve. Prandaj gjestet e tij të dashurisë atërore e të bekimit, vetëm sa  edhe më shumë e përplotësojnë dhe  kompletojnë imazhin e tij, që e patëm edhe më herët.

Angazhimi i tij për të vegjlit, të varfrit, të pafuqishmit dhe të margjinalizuarit dëftohet edhe në vetë zgjedhjen e vendeve që i viziton. Vendi i parë evropian, të cilin e vizitoi papa Françesku, ishte Shqipëria (më 21.09.2014). I dyti është Bosnja dhe Hercegovina. Pra, papa dëshiron t’ua tërheqë vëmendjen pushtetarëve të botës pikërisht në këta vende dhe popuj të vegjël – që mos të lihen anash dhe të mos harrohen, që në zemër të Europës mos të ketë diskriminime dhe izolime të atyre me të cilët nuk na lidh ndonjë interes i madh politik ose ekonomik.

Përvujtëria dhe thjeshtësia e tij dëftohet sidomos në shkurtësinë dhe qartësinë e fjalimeve të tija, kurse dashuria ndaj njeriut del në pah në çdo hap, e veçanërisht kur ai ato porositë e veta, që i kishte përgatitur përpara, ua lë në dorë ipeshkvit, e popullit të etshëm për fjalën e tij ia drejton fjalën spontane, që buron nga zemra, e prekur me përjetimin e problemit konkret, sikurse ndodhi në katedralen e Sarajevës, pas dëshmisë së dy meshtarëve dhe një murgeshe, që kanë mbijetuar vuajtjet e kampeve të përqendrimit në kohën e luftës, apo gjatë takimit me rininë, të cilëve u përgjigjte në pyetjet e tyre konkrete, në vend që t’ua drejtojë porosinë e vet të përgjithshme.

Nga predikimi i tij gjatë Meshës së shenjtë në stadiumin Koshevo veçanërisht më ka mbetur në kujtesë theksimi i kuptimit të fjalës së Jezusit, i cili nuk i ka shpallur të lumtur ata që flasin mirë për paqen, apo e predikojnë paqen, por tha: “Lum pajtuesit, sepse ata do të quhen bij të Hyjit!” Pra, lum ata që e krijojnë paqen, që veprojnë për paqe, lum paqedashësit, ata që falin dhe që i pajtojnë njerëzit.

Pastaj theksoi se paqja është vepër e drejtësisë, kështu që duhet të krijohen marrëdhëniet e drejta dhe shoqëria e drejtë, që të mund të sigurohet paqja e drejtë dhe e vazhdueshme.

Në takimin ndërfetar në Qendrën françeskane ndërkombëtare studentore pranë Provincialatit Françeskan në Sarajevë, papa na tërhoqi vëmendjen se dialogu ndërfetar “është i domosdoshëm për paqe, dhe si i tillë është detyrë e të gjithë besimtarëve. ... Me atë dialog mësohet se si të jetojmë së bashku, të njihemi dhe të pranojmë njëri-tjetrin me dallimet tona. ... Më në fund, dialogu është shkolla e njerëzisë, faktor i bashkimit, i cili ndihmon ta ndërtojmë shoqërinë e themeluar në tolerancën dhe në respektin e ndërsjellë.”

Pastaj Papa thotë: “Gjithmonë duhet të kemi në mend se dialogu, që të jetë i frytshëm dhe i vërtetë, nënkupton identitetin e zhvilluar: pa identitet të formuar, dialogu është i padobishëm dhe i dëmshëm.”

Papa na thërret: “Të vazhdojmë të ecim me qëndresë rrugës së faljes dhe të pajtimit. ... Ta shmangim dhimbjen ndaj vetvetes dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit! Të lejojmë që të na pastrojë Hyji, ai i cili na dhuron edhe të tashmen, edhe të ardhmen!”

E në fund të takimit Papa gjithmonë lutet, i vetëdijshme se suksesi i misionit të tij nuk varet nga aftësia jonë njerëzore dhe nga mundi ynë, por nga hiri i Hyjit. Ai lutet, dhe po ashtu edhe porositet në lutjet e të tjerëve, sikurse u porosit edhe në lutjet e përfaqësuesit të bashkësisë hebraike në Bosnje e Hercegovinë, z. Jakob Finci, duke thënë: “Lutu për mua, sepse kohërat janë të vështirë!”

Jemi të bindur se Zoti do të bëjë që kjo vizitë e papës vendit tonë do ta shndërrojë kohën tonë të vështirë në një më të mirë – jo vetëm këtu tek ne, por edhe gjithkund nëpër botë.

Ne, si besimtarë, krenohemi me Papën tonë Françesku dhe me gjithçka ai bën për të mirën e Kishës dhe të botës mbarë, duke promovuar vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore: drejtësinë, paqen, mirëdashjen, faljen, familjen e shëndoshë, të bazuar në martesën si e ka dhënë Zoti – në martesën e një burri dhe një gruaje; vlerën e lindjes dhe edukimit të mirë të fëmijëve, vlerën e barazisë dhe të mirës së përbashkët të të gjithë njerëzve të botës... Sa po shohim, shumica e madhe e qytetarëve e sheh veprimin e papës në këtë dritë dhe me gatishmëri i pranon idetë e tija në lidhje me njeriun, me shoqërinë dhe me ardhmërinë tonë të përbashkët. Kjo na jep shpresën e fortë se kjo vizitë e papës do të japë fryte të mira – në nder e lavdi të Zotit dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.