2015-06-10 17:39:00

Irak: dhimbja e të krishterëve, një vit pas marrjes së Mosulit


Natën ndërmjet 9 e 10 qershorit 2014, dhjetra mijëra të krishterë e braktisën Mosulin, të sigurtë se do të riktheheshin shumë shpejt në shtëpitë e tyre. Kaloi një vit e qyteti i dytë irakian, vijon të jetë në dorë të milicëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik. “Me kalimin e muajve, shpresat tona për t’u rikthyer në shtëpi, pakësohen gjithnjë më shumë”, deklaron për Fondacionin Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”(Acs), atë Georges Jahoula, prift i dioqezës siro-katolike të Mosulit. Shumë të krishterë, shton, po detyrohen t’i kërkojnë këto shpresa larg Irakut. Atë Jahoula njofton se të krishterët detyrohen të emigrojnë. “Shkulen me gjithë rrënjë nga toka e tyre. Nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër. Detyrohen me forcë”.

Poshtërimi për  çshenjtërimin e Kishave

Lajmet, që arrijnë nga Mosuli dhe nga Rrafshi i Ninives, nuk bëjnë tjetër, veçse ta thellojnë dhimbjen e bashkësisë së krishterë. Ashtu si tejet i dhimbshëm është lajmi i shndërrimit të kishës siro-katolike të Shën Efremit, në xhami. E pikërisht në ndërtesën e lashtë kishtare xhihadistët e festuan kryevjetorin e ngadhënjimit të tyre, në emër të zotit të tyre e të synimeve të tyre për t’ua imponuar të gjithëve islamin e kalifatin e tij. Episode si ky, për fundamentalistët, janë shenjë e fitores mbi të pafetë, siç  i quajnë të krishterët. Ndërsa për të krishterët e Mosulit e jo më pak, për të krishterët e mbarë botës, “një plagë e re e hapur në zemrën e shporuar të krishterimit”. Plagës së martirizmit të të krishterëve në Irak, i shtohet edhe ajo e shndërrimit të kishave në xhami, e aq më shumë, fati i atyre që rrezikojnë jetën për fenë në Krishtin.

Tmerret e shekullit XX tregojnë se mizoritë vijojnë, kur kush jeton në vende të qytetëruara nuk e ndjen aspak nevojën, e detyrën, t’i ndalojë. Pa menduar se ku mund të përfundojë marshimi gjakatar, i nisur larg portave të tyre.  

Mbështete Fushatën “Të krishterët të mbeten në Irak!”

Nga marrja e Mosulit e deri më sot, fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”, u ka dhuruar të krisheterëve irakianë më se 7 milionë e 200 mijë euro. Impenjim, që fondacioni vijon ta çojë përpara, duke nisur  fushatën e re “T’i ndihmojmë të krishterët të mbeten në Irak”. Çdo i krishterë, që e jeton fenë e vet lirisht, që shkon lirisht në Kishë, në vendin e vet, mund të japë ndihmesë që të krishterët të mbeten në Irak. Të ndihmosh nuk do të thotë vetëm të japësh ndihmë materiale. Ndihma më e vyer është lutja për vëllezërit e krishterë të Irakut e të të gjithë Lindjes së Mesme, prej nga të krishterët nuk duhet të largohen, sidomos sepse në trojet e tyre zu fill feja e përbashkët e besimtarëve në Krishtin!








All the contents on this site are copyrighted ©.