2015-06-09 13:30:00

Papa: mos e dobësoni identitetin e krishterë


Ruajeni identitetin e krishterë, duke e lënë Shpirtin Shenjt t’ju udhëheqë në jetë. Kjo qe këshilla e Papës Françesku, gjatë homelisë së meshës së sotme, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen ndaj atyre, që duan ta kthejnë krishterimin thjesht në një “ide të bukur”, por edhe ndaj atyre, që e ndryshojnë shpesh identitetin e tyre të krishterë, sepse kanë gjithnjë nevojë për risi. Gjithashtu, kritikoi edhe ata, që e zmadhojnë aq shumë ndërgjegjen, sa ta shndërrojnë në një thes, ku hyn çdo gjë.

         Cili është identiteti i krishterë pra? Papa Françesku komentoi Letrën e Shën Palit drejtuar Korintasve, ku Apostulli i Popujve flet pikërisht për identitetin e dishepujve të Jezusit. Për të arritur në këtë identitet të krishterë, nënvizoi Papa, Zoti na ka udhëhequr nëpër një udhë të gjatë, derisa na dërgoi Birin e Tij.

Jemi mëkatarë, por me besim se Jezusi na ringjall

         Edhe ne, vijoi, duhet të bëjmë një udhë të gjatë, që ky identitet i krishterë të forcohet, aq sa të mundim të japim dëshmi, pavarësisht nga mëkatet:

         “Është e vërtetë, ekziston mëkati, mëkati na bën të biem, por ne kemi forcën e Zotit për t’u ringritur e për të ecur, duke e ruajtur identitetin tonë. Por, unë do të thosha se mëkati është pjesë e identitetit: jemi mëkatarë, por mëkatarë me besim në Jezu Krishtin. E nuk është vetëm fe, sepse dimë, sepse e njohim… jo. Është fe, dhuratë e Zotit. Ka hyrë brenda nesh nga Zoti. Është Hyji vetë, që na përforcon në Krishtin. E na ka vajuar, na ka vënë vulën, na ka dhënë kaparin, premtimin e Shpirtit në zemrat tona. Është Zoti, që na e jep dhuratë këtë identitet”.

         Është themelore, shtoi Papa Françesku, t’i qëndrojmë besnikë këtij identiteti të krishterë e ta lejojmë Shpirtin Shenjt, që është garancia e premtimi në zemrën tonë, të na udhëheqë në jetë. Ne jemi njerëz, që shkojnë pas një filozofie, jemi të vajuar e kemi garancinë e Shpirtit Shenjt.

Identiteti i krishterë është konkret, jo sa për të thënë

         Ky identitet, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, shihet përmes dëshmisë. Prandaj Jezusi na thotë se pikërisht dëshmia është gjuha e jetës së krishterë. Por, për shkak të tundimeve e të mëkatit, ky identitet mund të dobësohet deri sa të humbet krejtësisht. Papa vuri në dukje dy rrugë, që përmbajnë në vetvete këtë rrezik:

         “Së pari, ajo e kalimit nga dëshmia në ide, që do të thotë ta dobësosh dëshminë. ‘Eh po, jam i krishterë. Krishterimi është ky, ide e bukur. Unë i lutem Zotit’. E kështu, nga Krishti konkret – sepse identiteti i krishterë është konkret, e lexojmë këtë në Lumnitë, por e shohim edhe në kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut – kalojmë në një fe pak si më të butë, në atmosferën e në udhën e gnostikëve. Identiteti i krishterë është skandaloz. E tundimi është: ‘Jo, jo, pa shkandull’”.

Mendësia e botës ia prish shijen dëshmisë sonë

         Kryqi, vijoi Papa Françesku, është shkandull, prandaj ka nga ata, që kërkojnë Zotin në këto përshpirtëri të krishtera, pak si puplake, të pakapshme. Këta janë gnostikët modernë. Pastaj, ka nga ata, që kanë gjithnjë nevojë për risi, duke harruar se mbajnë gjithnjë brenda vetes premtimin e Shpirtit Shenjt. Këta kërkojnë “vegjentët, të cilëve Zoja u flet në orën 4 pasdite”, dha një shembull Papa. Këta jetojnë me këto gjëra, duke harruar se fjala e fundit e Zotit quhet “Jezus” e asgjë më shumë. Rruga tjetër për t’u zmbrapsur në fe, duke e ndryshuar për keq identitetin e krishterë, është mendësia e kësaj bote:

         “Zgjerimi aq i madh i ndërgjegjes, sa të hyjë çdo gjë. ‘Po, ne jemi të krishterë, por këtë e pranojmë…’. Jo vetëm moralisht, por edhe nga pikpamja njerëzore. Mendësia e botës është njerëzore. E kështu, kripa e humb shijen e vet. E shohim bashkësi apo njerëz, që i thonë vetes të krishterë, por nuk munden e nuk dinë ta dëshmojnë Jezu Krishtin. E kështu, identiteti ecën mbrapsht e humbet. Është formalizmi i botës, që shohim përditë. Në historinë e shëlbimit, Zoti, me durimin e tij prej Ati, na ka nxjerrë nga paqartësia në siguri, në konkreten e mishërimit e të vdekjes shëlbuese të Birit të Vet. Ky është identiteti ynë”.

         Shën Pali, shtoi Papa, lavdërohet me Jezusin “bërë njeri e vdekur për t’u bindur”. Ky është identiteti e aty është dëshmia. Është hir, përfundoi Ati i Shenjtë, që duhet t’ia kërkojmë Zotit: të na japë dhuratë një identitet, që të mos përshtatet me gjërat e me kohën aq, sa të humbasë shijen e kripës në mesin e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.