2015-06-09 14:24:00

Marrëveshje për klimën në mbledhjen e G7-ës


Klima, lufta kundër terrorizmit, konflikti në Ukrainë, emigracioni, Greqia dhe ekonomia globale: për këtë u fol në mbledhjen e G7-ës, që u mbajt në Bavierë, edhe një herë, në mungesë të presidentit rus Putin. Dje, u bënë të njohura rezultatet e takimit, përfshirë në deklaratën përfundimtare.

         E pikërisht, rezultatet më të mira u arritën në fushën e ndryshimeve të klimës. Krerët e vendeve të industrializuara i vunë vetes objektivitn për ta kufizuar ngrohjen e atmosferës vetëm në dy gradë, në prag të takimit të Parisit mbi klimën, që do të mbahet në dhjetor. Brenda 2050-ës, parashikohet reduktimi i gazeve, që shkaktojnë efektin serë, përmes përdorimit më të kufizuar të karburanteve, që vijnë nga karboni e nafta.

         Megjithëse u mirëpritën hapat e bëra në zgjidhjen e problemeve, të shkaktuara nga kriza ekonomike, në dokumentin përfundimtar shprehet shqetësimi për papunësinë e lartë dhe për sfidat, që paraqesin treguesit e ulët të inflacionit, investimet e pakta, borxhi i lartë publik dhe privat, si edhe tensionet gjeopolitike. Krerët e G7-ës u morën vesh për të përshpejtuar marrëveshjen e shkëmbimit të lirë ndërmjet Evropës dhe SHBA-ve, e cila mund të përvijohet brenda vitit.

         Deklarata të ashpra, pastaj, ndaj presidentit rus Putin, i akuzuar nga SHBA-të se dëshiron të kthehet në majën e pushtetit të perandorisë sovjetike. Vendet e Bashkimit Evropian dënuan ndërkaq, aneksimin e Krimesë nga Rusia e, nëse do të jetë e nevojshme, u treguan të gatshëm të ashpërsojnë sanksionet kundër Moskës. Përveç kësaj, ata theksuan mbështetjen e plotë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit Ruso-Ukrainas, duke u bërë thirrje palëve të respektojnë armëpushimin e të tërheqin armët e rënda. Kujtojmë se Marrëveshja e Minskut parashikon armëpushimin dhe respektimin e sovranitetit të Ukrainës.

         Mesazhe të qarta edhe për kryeministrin grek Tsipras. “Duam që Athina të mbetet në Eurozonë – deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel – por, nëse grekët duan solidaritet, duhet të bëjnë propozime të vlefshme” sa më shpejt. Me një fjalë, Greqia duhet të vijojë reformat.

         Krerët e G7-ës shprehën shqetësimin e tyre të thellë për kërcënimin terrorist, për prodhimin e përhapjen e armëve dhe për krizën humanitare në Libi, për të cilën urohet një marrëveshje politike ndërmjet palëve. Së fundi, përsa u përket flukseve të emigracionit, ripohuan impenjimin në parandalimin e në luftën kundër trafikut të njerëzve, brenda e jashtë kufijve të tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.