2015-06-08 14:42:00

Papa: jo, ideologjisë gender, të ruhet martesa burrë-grua


Bukuria e martesës rrezikohet nga teoria e gjinisë. Këtë denoncoi me forcë Papa në takimin me ipeshkvijtë e Porto Rico-s, të cilët i priti në Vatikan, në vizitë ad Limina. Papa ia kushtoi punës baritore me familjen pjesën kryesore të fjalimit, teksti i të cilit iu dorëzua prelatëve. Edhe një herë Ati i Shenjtë e ftoi Kishën të rrijë larg ideologjive e prirjeve politike dhe u kërkoi barinjve të jetojnë në bashkim vëllazëror, për t’i përballuar problemet e shumta, që  shqetësojnë vendin karaibik.

“Të mbrohet Sakramenti i martesës, sepse ky është një nga thesaret më të çmuara, që kanë popujt latino-amerikanë”: është një nga fragmentet e rëndësishme në fjalimin, që Papa ua dorëzoi prelatëve të Porto Rico-s. Françesku pohon se është e nevojshme të fuqizohet puna baritore me familjen, për t’u bërë ballë problemeve të rënda  shoqërore, që shkaktojnë jo pak shqetësim: situatës së vështirë ekonomike, emigracionit, dhunës shtëpiake, papunësisë, trafikut të drogës e korrupsionit. Më pas ndalohet tek bukuria e martesës.

Jo, idelogjisë gender, të mbrohet përplotësimi burrë-grua

“Burri e gruaja përplotësojnë njëri-tjetrën e pikërisht ky kulm i krijimit  hyjnor vihet sot në diskutim nga e ashtuquajtura ideologji e gjinisë, në emër të një shoqërie më të lirë e më të drejtë”. Në të vërtetë, kujton Papa, ndryshimet ndërmjet burrit e gruas nuk synojnë kundërvënien, as  nënshtrimin, por bashkimin e krijimin e breznive të reja, gjithnjë sipas ngjashmërisë e shëmbëllimit të Zotit. Pa kontributin reciprok, asnjëri prej të dyve nuk mund të kuptohet në thellësi”.

Ipeshkvijtë të bashkohen për t’i përballuar problemet e vendit

Françesku i fton barinjtë të luten e të thellojë gjithnjë më shumë miqësinë e ndihmën vëllazërore reciproke, për të përballuar problemet e shumta, që trondisin Porto Rico-n. E u tërheq vëmendjen të mos i shkrijnë energjitë në ndeshje e përçarje. Sa më i thellë të jetë bashkimi, nënvizon, aq më i suksesshëm do të jetë edhe misioni. Edhe një herë Papa i inkurajon prelatët të distancohen  nga çdo ideologjizim ose prirje politike, që mund t’i bëjë të humbasin jo vetëm kohën, por edhe zellin për Mbretërinë e Zotit. Kisha nënvizoi, në misionin e saj, nuk lidhet me asnjë sistem politik, sepse dëshiron të jetë gjithnjë ashtu siç pohon Koncili II i Vatikanit: “Shenjë e mbrojtjes së karakterit të mbinatyrshëm të njeriut”.

Së fundi, thirrja për të qenë barinj të mëshirëshëm e për t’i kushtuar vëmendje të posaçme punës baritore për thirrjet meshtarake e rregulltare si dhe nxitja e besimtarëve portorikanë që të bashkëpunojnë bujarisht në kumtimin e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.