2015-06-07 16:44:00

Ati i Shenjtë të rinjve: të jeni të bashkuar, të ndershëm, ndërtues të paqes


“Ju, lulet e pranverës së pasluftës, punoni gjithë së bashku për paqen, që ky të jetë vend i paqes!”. Është porosia, që Papa u la të rinjve, edhe në gjuhën kroate, gjatë takimit të fundit të shtegtimit në Sarejevë. Ishte një bashkëbisedim i pasur me dëshmi, këngë, valle, që u vulos me fluturimin e lirë të një pëllumbi, në kornizën e Qendrës rinore “Gjon Pali II”, vend kuptimplotë ku, që nga fundi i luftës, të rinjtë angazhohen në prokjekte të bashkëjetesës e të dialogut ndëretnik e ndërfetar.

“Detyra, që po ju lë, është të bëni paqe!”: kjo, porosia e fundit e Papës për të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës, gjatë një takimi festiv: takim sy për sy e zemër për zemër, pasuruar nga fryma e vërtetë rinore, shoqëruar me muzikë, kore e dëshmi. “Të rinjtë u përgatitën në mënyrë të posaçme për këtë takim e duan të japin kontributin e tyre në procesin e paqes, ende në vijim”, shpjegoi imzot Semren, drejtues i baritorisë me rininë.

Pastaj dy të rinj e thyen akullin dhe e morën fjalën:

“Zovem se Darko Majstorović, profesor sam tjelesnog …”

Ai, kroat katolik, dëshmoi për një jetë  të vënë në shërbim të rritjes në fe e të ndërtimit faktik të paqes.

“Živeći u Bosni i Hercegovini, u ovoj multietničkoj i multikonfesionalnoj…”

Ajo, serbe ortodokse, i rrëfen Françeskut si punon në shërbim të dialogut ndërfetar, pasuri, thotë, e njerëzve të Bosnjë-Hercegovinës. Dëshirat e tyre janë të fuqishme e Papa, pas shfaqjes së papritur të korit të fëmijëve të Srebrenicës, merr fjalën e, duke e lënë mënjanë tekstin zyrtar, u përgjigjet lirisht disa prej pyetjeve të të rinjve.

Ç’lidhje duhet të kemi me televizionin – e pyesin - duke i krijuar rastin të flasë për cilësinë e programeve televizive:

“T’i përdorni, i këshillon, si kompjuterin, vetëm për gjëra, që ju ndihmojnë të rriteni. Të bëhen programe, që të  bëjnë mirë, që t’u bëjnë mirë vlerave, që të ndërtojnë shoqërinë, të na çojnë lart e më lart, e jo poshtë e më poshtë. E pastaj, të bëhen programe, të cilat na ndihmojë që vlerat, vlerat më vërteta, të bëhen gjithnjë e më të forta e të na përgatisin për jetën. Kjo është përgjegjësia e qendrave televizive”.

Pyetjes nëse të rinjtë ia dolën mbanë, apo jo, ta komunikojnë gëzimin  në këtë rast e në të tjera, Françesku iu përgjigj duke shprehur mendimin e tij për të rinjtë e kësaj toke:

“Ju keni një veçori: jeni breznia e parë – besoj - e pas luftës. Jeni lulet e pranverës, siç tha imzot Semren: lule pranvere, që dëshirojnë të rriten  e të lulëzojnë, jo të  fishken e të thahen, lule-mike me njëra-tjetrën, jo armike. Unë e gjeta në ju këtë dëshirë e këtë entuziazëm. E kjo është një gjë e re për mua”.

“Nga ju pres ndershmëri në gjithçka mendoni, ndjeni e bëni”.

Ndershmëri, jo hipokrizi; bashkim, ndërtim urash, për t’i lënë të gjithë të kalojnë nga njëra anë, në tjetrën. Kjo është vëllazëria!”.

Ndershmëri, pra, e bashkim: këto, fjalët e fundit, që Papa ua përsëriti të rinjve në mbyllje të festës së tyre, për të përuruar së bashku, pas shkëmbimit të dhuratave, pllakën kushtuar Gjon Palit II, Shenjtit, të cilit Françesku ia besoi të rinjtë:

“Uroj që ky të jetë një vend paqeje! 'Mir Vama': këtë kujtojeni mirë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.