2015-06-06 10:19:00

Françesku autoriteteve të Bosnjës-Hercegovinës: vlerat e përbashkëta të domosdoshme për zhvillimin e vërtetë


Pas një udhëtimi të shkurtër, Papa  arriti në Sarajevë, i shoqëruar  nga 65 gazetarë, kameramanë, fotografë e përfaqësues të tjerë të medias nga dhjetë vende të ndryshme, që po e informojnë botën për këtë shtegtim në 8-9 gjuhë. Të tjerë e prisnin në Sarajevë. Në këtë udhëtim të shkurtër, e shkurtër ishte edhe përshëndetja e Papës drejtuar grupit  të gazetarëve:

“Mirëdita e ju falënderoj për praninë tuaj”, fjalët, dashamire si gjithnjë, të Françeskut. Sarajevën e quajnë Jeruzalemi i Perëndimit: është qytet me kultura fetare dhe etnike krejt të ndryshme; e jo më pak, qytet që vuajti shumë në histori e tani ecën në udhën e bukur të paqes. Që të flas për këtë, po e bëj  shtegtimin: si shenjë e paqes e si lutje për paqen. Ju falënderoj për shoqërinë tuaj”.

Veprimtaria e parë e Papës në Sarajevë, takimi i mirëseardhjes në pallatin presidencial, me tre anëtarët e presidencës si dhe me autoritetet e vendit. Këtu edhe përshëndetjet e mirëseardhjes.

Nisi me kujtimin e vizitës historike të Gjon Palit II, më 1997, në Sarajevë, më pak se dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Dayton, përshëndetja e parë e Papës drejtuar Qytetit Martir e banorëve të tij si dhe mbarë Bosnjë-Hercegovinës. Që askohe, nënvizoi, janë bërë përparime të ndjeshme, por duhen bërë edhe hapa të tjera, për ta fuqizuar besimin e për të krijuar raste që ndihmojnë në thellimin e njohjes e të nderimit reciprok. Për ta favorizuar këtë udhë, është themelore afërsia dhe bashkëpunimi i ngushtë i Bashkësisë Ndërkombëtare, posaçërisht i Bashkimit Evropian  si dhe të gjitha vendeve e organizatave të pranishme në këto troje:

“Bosnjë-Hercegovina, theksoi me forcë Papa, është pjesë përbërëse e Evropës; sukseset e dramat e saj, janë pjesë përbërëse e historisë së dramave evropiane, e njëkohësisht, edhe qortim serioz, i cili na kujton se duhet bërë çdo përpjekje e mundshme që proceset e paqes të fuqizohen e të mos ketë kurrë më kthim mbrapa”.

Paqja e harmonia ndërmjet Kroatëve, Serbëve e Boshnjakëve si dhe marrëdhëniet e përzemërta e vëllazërore ndërmjet myslimanëve, hebrenjve e të krishterëve, duhet të dëshmojnë para mbarë botës se  bashkëpunimi  ndërmjet etnive e feve për të mirën e përbashkët është plotësisht i mundshëm, ashtu si pluralizmi i kulturave e i traditave, që mund të frymëzojë e të shërbejë në gjetjen e rrugëzgjidhjeve origjinale e të frytshme për problemet. Kështu edhe plagët më të thella do të mund të shërohen përmes një udhe, që pastron kujtesën e jep shpresë për të ardhmen.

Papa Françesku nënvizoi me forcë sa rëndësi ka kjo udhë, në kontekstin e mizorive të atyre, që do të dëshironin ta përdornin çdo larmi, si pretekst për dhunë gjithnjë më të egër: “Është urgjente të njihen vlerat themelore të humanitetit të përbashkët; ato vlera, në emër të të cilave mund të bashkëpunojmë, të ndërtojmë, të dialogojmë, të falim e të rritemi, në vend që të përhapim urrejtjen”.

Politikanët kanë detyrën dhe përgjegjësinë të sigurojnë të drejtat themelore  të njeriut, ndërmjet të cilave, liria fetare, për të ndërtuar kështu, një shoqëri paqësore e të drejtë:  “E që kjo të realizohet, është e domosdoshme barazia e njëmendtë ndërmjet të gjithë qytetarëve përballë ligjit si dhe zbatimi i saj konkret në jetë, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e gjeografike. Kështu të gjithë, pa dallime, të ndjehen plotësisht pjesëmarrës në jetën publike e, duke gëzuar të njëjtat të drejta, të mund të japin kontributin e tyre të posaçëm në shërbim të së mirës së përbashkët”.

Së fundi, Papa nuk mund të mos kujtonte kontributin e Kishës Katolike në veprimtarinë rindërtuese, materiale e morale, të Bosnjë-Hercegovinës si dhe nxitjet e Selisë së Shenjtë për të promovuar paqen e dëgjimin reciprok, në kushtet e një bashkëjetese civile e të rregullt, kushte të domosdoshme për zhvillimin e vërtetë e të qëndrueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.