2015-06-06 12:03:00

Ati i Shenjtë në stadiumin e Koshevos: paqja nuk shpallet, jetohet


Ndoshta, takimi më i rëndësishëm i ditës, së bashku me përqafimin e të rinjve, ishte mesha e Papës Françesku në stadiumin e Koshevos, i rrethuar nga varrezat e improvizuara të viktimave të luftës së Bosnjës, që gjatë rrethimit të gjatë të Sarajevës, nuk kishin as varr për mort. Të mbijetuarit i futën nën dhe të vdekurit e tyre si mundën e ku mundën. Foli për paqen, Ati i Shenjtë, duke vënë ballë për ballë leximet biblike me gjendjen e sotme. Foli për drejtësinë, e cila sjell paqen, siç thotë Isaia profet. Paqja është një nga lumnitë e Ungjillit, theksoi para 65 mijë besimtarëve, që e kishin mbushur si kurrë ndonjëherë stadiumin, rrugët e sheshet, pranë tij. Me patos, Ati i Shenjtë, që në fillim të homelisë, u tërhoqi vëmendjen boshnjakëve shumëetnikë e shumëfetarë, se:

“Paqja është ëndërra e Zotit, është plani i Hyjit për njerëzimin, për historinë, së bashku me gjithë krijesat. Është plan, që kundërshtohet gjithnjë nga njeriu e nga i Keqi. Edhe në kohën tonë, aspirata për paqen dhe impenjimi për ta arritur ndeshen me faktin se në botë ka konflikte të shumta të armatosura. Është një lloj lufte e tretë botërore, që zhvillohet “pjesë-pjesë”; e, në kontekstin e komunikimit global, perceptohet si atmosferë beteje”.

“Kurrë më luftë”, përsëriti Papa Françesku fjalët e shën Gjon Palit II, i cili në vitin 1994 nuk mundi ta vizitojë Bosnjë-Hercegovinën për shkak të çekinëve – gati të shtinin mbi këdo, edhe mbi Atin e Shenjtë, i cili, gjithsesi, pati frikë jo për vete, por për besimtarët. Arriti të shkojë më pas në Sarajevë, në vitin 1997. E Papa Françesku ngriti zërin kundër atyre, që duan ta ushqejën luftën me qëllim, për interesa të ulta; kundër atyre, që krijojnë ndeshje ndërmjet kulturave e qytetërimeve, që spekullojnë me shitjen e armëve:

“Por luftë do të thotë fëmijë, gra e të moshuar në kampet e refugjatëve; do të thotë shpërngulje me zor; do të thotë shtëpi, rrugë, fabrika të shkatërruara; do të thotë sidomos, sa e sa jetë të përgjysmuara. Ju e dini mirë, e keni provuar pikërisht këtu: sa vuajtje, sa shkatërrim, sa dhimbje!”.

Papa Françesku citoi fjalët e Jezusit në Ungjill: “Lum veprimtarët e paqes”. Nuk thotë “Lum predikatorët e paqes”, nënvizoi Ati i Shenjtë, sepse për fjalë janë të gjithë të zotë, edhe hipokritët, edhe gënjeshtarët. Jezusi lavdëron ata, që përpiqen personalisht për arritjen e paqes, e cila kërkon punë artizani, pasion, durim, eksperiencë, këmbëngulje. E si arrihet paqja? Papa përmendi Isainë profet dhe Papën Piu XII:

“Paqja është rrjedhojë e drejtësisë. Edhe këtu: jo një drejtësi e deklamuar, e teorizuar, e planifikuar… por një drejtësi e praktikuar, e jetuar. E Besëlidhja e Re na mëson se drejtësia më e plotë është të duash të afërmin si vetveten. Kur, me hirin e Tënzot, e ndjekim këtë urdhëresë, ah si ndryshojnë gjërat! Sepse ndryshojmë ne!”

Shën Pali Apostull, vijoi Papa, në Leximin e dytë të meshës, na tregon cilat janë sjelljet e nevojshme për arritjen e paqes: dhembshuria, mirësia, përvujtnia, ëmbëlsia, zemërgjerësia, falja e durimi. Me këto sjellje, tha Ati i Shenjtë, bëhemi artizanë të paqes:

“Por, të mos kujtojmë se kjo varet vetëm prej nesh! Do të binim në një moralizëm zhgënjyes. Paqja është dhuratë e Zotit, jo në kuptimin magjik, por sepse Ai, me Shpirtin e Tij, mund t’i dikojë këto qëndrime në zemrat tona e në korpin tonë, duke na kthyer në mjete të vërteta të paqes së Tij. E, nëse shkojmë më thellë, Apostulli thotë se paqja është dhuratë e Zotit, sepse është fryt i pajtimit të Tij me ne. Vetëm nëse pajtohet me Zotin, njeriu mund të bëhet veprimtar i paqes”.

Kurrë më shumë se në këtë çast, nuk mori kuptim motoja e udhëtimit të Papës Françesku në Sarejevë: “Mir vama” (Paqja qoftë me ju), të cilën Ati i Shenjtë e shqiptoi disa herë në gjuhën vendase. 








All the contents on this site are copyrighted ©.