2015-06-05 13:03:00

Papa në Sarajevë: plagët e luftës janë ende të hapura


Paqe e padrejtë

“Për ne, ipeshkvijtë katolikë, paqja që kemi sot në Bosnjë-Hercegovinë, është e padrejtë. Falënderojmë Zotin, që nuk ka më luftë, që nuk dëgjojmë më të shtëna,  që nuk ka më të vdekur, e kjo është dhuratë e madhe e Marrëveshjes të Dayton-it. Por situata juridike, që u vendos, nuk u garanton të gjithë qytetarëve mundësinë t’i shfrytëzojnë pasuritë shoqërore në mënyrë të barabaratë” . E kur flasin për pasuri shoqërore, ipeshkvijtë kanë parasysh jetën politike, atë kulturore, universitare, shfrytëzimin e mediave. Rrethanat e vështira politike, në të cilat do të zhvillohet vizita e Papës Françesku në Sarajevë, nesër, më 6 qershor, na i përshkruan, imzot Tomo Vukšić  ipeshkëv i forcave ushtarake dhe zëvendës-kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës. Është fjala, vijon, për pjesëmarrjen, që nuk i garantohet pjesës kroate të popullsisë, 99% katolike. Në këtë kuptim shpresojmë se prania e Papës do të jetë një nxitje për ta përmirësuar këtë gjendje.

Plagë ende të hapura

“Në krahasim me shtegtimin historik të Gjon Palit II në Sarajevë, në vitin 1997, sot nuk ndjehen më aq fort dhimbjet e plagëve të luftës. Kanë kaluar rreth njëzet vjet e rindërtimi, posaçërisht material, i ka zhdukur pjesërisht pasojat e këtij konflikti gjakatar – shpjegon, në vijim, imzot Vukšić. - Por në nivelin shpirtëror, psikologjik e në atë të krijimit të harmonisë shoqërore, mbeten ende shumë gjëra për t’u bërë. Në këtë kuptim vizita e Papës është absolutisht e mirëpritur. Para së gjithash për ne, katolikët, që kemi nevojë të përforcohemi në fe. Por edhe për të tjerët, që të përforcohet dialogu ndërfetar dhe ekumenik ndërmjet entiteteve etnike e fetare. E pastaj, në nivelin politik, për të theksuar më shumë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të ndryshme, që të realizohet një integrim më i kënaqshëm evropian i rajonit”.

Profet i ardhmërisë më të mirë

Bashkësia  katolike e Bosnjë-Hercegovinës, shpjegon imzot Vukšić, i ndjen akoma fort pasojat e konfliktit të viteve të para ’90. Jo të gjithë e dinë se në këndvështrimin demografik, u përgjysmua nga lufta. Është fakt i dhimbshëm, pasojat e të cilit i ndjejmë çdo ditë në Kishën tonë. Edhe kriza e sotme ekonomike, që shkakton largimin  e shumë njerëzve nga vendlindja, për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet e pasura perëndimore, e dëmton rëndë pikërisht pakicën shoqërore më të ligshtë, që është kjo katolike. Por jemi të krishterë e detyra jonë është të ringjallim shpresat e të punojmë për një ardhmëri më të mirë, përfundon imzot Vukšić. E ardhja e Papës Françesku ndër ne, për mua është providenciale: e konsideroj “profet” i së ardhmes më të mirë.

Fantazma e urrejtjes vijon të endet këtyre viseve

Gjendjen e Bosnjë-Hercegovinës, që ndodhet para një mori vështirësish, pasoja të luftës, të cilat duhen kapërcyer, na e përshkruan edhe Enisa Bukvić, shkrimtare boshnjake, ish-kryetare e bashkësisë së Bosnjë-Hercegovinës në Itali. “Papa do të gjejë në Sarajevë një gjendje shoqërore në të cilën, për fat të keq, edhe pse kanë kaluar shumë vjet, ndjehet fort urrejtja. E kjo, sepse nuk nisi kurrë procesi i vërtetë i pajtimit, i bazuar mbi drejtësinë. Plagët janë ende të hapura, prej këndej, edhe fantazma e urrejtjes endet përsëri në këto troje e politika nacionaliste e shfrytëzon këtë situatë, shpesh herë edhe duke i manipuluar kundërshtitë. Për fat të mirë,  një pjesë e popullsisë, posaçërisht gratë, punon me gjithë zemër për dialogun e, në këtë kuptim, ardhja e Papës Françesku, me mesazhet e tij pozitive, ka rëndësi të dorës së parë për paqen dhe bashkëjetesën në këtë zonë”.

Politika shpesh herë i  ushqen përçarjet 

“Këtu ndeshet një realitet shumëkulturor, që reziston, pavarësisht nga të gjitha,  shton Bukvić. Ka shumë martesa të përzjera e familje të përzjera prej shumë breznish. Po politika vijon avazin “përçaj- sundo”. Papa këtu mirëpritet e shikohet me sy tepër dashamirë nga të gjitha bashkësitë e nga të gjitha grupet fetare. Uroj të sjellë një mesazh paqeje e t’i nxisë, posaçërisht katolikët, të punojnë për një proces më të thellë bashkimi të popullsisë në Bosnjë-Hercegovinë. Mendoj se, po të hyjë Bosnjë-Hercegovina në Evropë, përfundon Bukvić, Ballkani do të jetë shumë më i sigurt. Por nuk besoj se politikanët vendas interesohen aq shumë për këtë proces”.








All the contents on this site are copyrighted ©.