2015-06-05 14:24:00

Don Lush Gjergji: ekstremizmi i dhunshëm fetar është rrezik permanent


Nga data 27 deri më 30 maj në Prishtinë u mbajt Konferenca e katërt ndërkombëtare ndërfetare mbi temën “Dialogu ndërfetar në kohën e mediave sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes”. Ndërhyrjet e diskutimet u përqendruan mbi përdorimin e mediave dhe qasjen multi-disiplinore të tyre kundër ekstremizmit fetar. Kishën katolike të Kosovës, në këtë konferencë, e përfaqësoi Vikari i Përgjithshëm, don Lush Gjergji, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit flet mbi rëndësinë e kësaj konference dhe të takimit të përfaqësuesve të komuniteteve fetare të Kosovës, për të thënë qartë se ekstremizmi e keq përdorimi i fesë është në kundërshtim me vullnetin e Hyjit e në dëme të shoqërisë njerëzore. Sipas don Lush Gjergjit “pikënisja ishte kjo: kërcënimi dhe rrezikimi nga fundamentalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nën “petkun” apo prizmen e fetares, është një rrezik permanent kudo në botë. Për ta luftuar kemi dy mënyra dhe mundësi themelore: së pari informimi, formimi dhe edukimi i rinisë në frymën e bashkëjetesës dhe komunikimit, dialogut gjithëpërfshirës, si dhe mediat sociale, nëpërmes të cilave luftohet gjuha e urrejtjes, “getizimi” apo grupimi për dhunë dhe shkatërrim”. Po më hollësisht të ndjekim bisedën e dom David Gjugjës me don Lush Gjergjin...



Në vijim ju propozojmë fjalën që don Lush Gjergji mbajti në konferencën e përmendur...

DIALOGU NDËRFETAR NË KOSOVË

Dialogu ndërfetar në Kosovë, si dhe gjetiu në botë, sot është një ndër çështjet më të rëndësishme, do të thoja edhe jetësore, për ne Shqiptarët, si dhe për të tjerët. Sa i përket të kaluarës, pjesërisht edhe të tashmes, në këtë lëmi, ne qëndrojmë mjaft mirë, sepse vëllazëria gjithëshqiptare është mbi ndasitë tona fetare, pra, më e thellë, më e fuqishme, do të thoja e natyrshme dhe kuptimplote, shembullore, si për ne, ashtu edhe për të tjerët.

Mirëpo njeriu i sotshëm, shpesh edhe ne besimtarët, flasim për dialogun ndërfetar, pra, në emër të Zotit dhe të fesë, lidhjes dhe jetës sonë me Të, ndërsa  pothuaj rregullisht, cekim vetëm elementin horizontal, njerëzor, pa uratë, ndihmë dhe përkrahje të vertikales, hyjnores. Duam të rritemi dhe të përparojmë vetëm në një drejtim, atë horizontal, tokësor, njerëzor, duke harruar dhe përjashtuar anën vertikale dhe hyjnore.

 

Aspekti i dytë tejet i rëndësishëm është qëndrimi përjashtues, nënçmues, deri te urrejtja e të tjerëve, atyre që janë apo duken se janë ndryshe prej nesh. Dhe prapë edhe një gabim trashanik, që në emër të Zotit dhe të fesë, të vijmë deri te urrejtja dhe vrasja e të tjerëve, kinse atyre që na pengojnë apo rrezikojnë në synimet tona. Papa i madh dhe i “pavdekshëm” Shën Gjon Pali II thoshte kështu: “Urrejtja dhe vrasja e njeriut është krim. Krim i krimeve është kur ajo bëhet në emër të Zotit”.

Aspekti i tretë i dialogut ndërfetar është përvujtëria, si virtyt bazik, për ta kuptuar dhe pranuar së pari Zotin,  Krijuesin dhe Atin tonë të përbashkët, pastaj tjetrin, si vëllaun apo motrën tonë, dhe së fundi vetveten. Ne, të prirë nga mentaliteti shekullar apo laik, kryekëput ateist, theksojmë vetveten me tendenca egoiste dhe egocentrike: unë di, unë dua, unë mundëm, duke u munduar që tjetrin ta “objektivizojmë” apo vegëlsojmë për qëllime dhe njete tona.

Dialogu ndërfetar mbështetet doemos së pari në Zotin, burimin tonë të përbashkët, si zanafillë e vëllazërisë gjithënjerëzore, dhe në jetën tonë fetare, shpirtërore, ku falja dhe pajtimi, kërkimi i faljes, ndërrimi dhe përmirësimi ynë, janë fryt dhe gërshetim i hyjnores dhe njerëzore, dhe dëshmi se besimtari është ndryshe prej të tjerëve, jo pse di, do dhe mundet, por pse e ka ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e bashkësisë fetare. Për një dëshmi të tillë ka nevojë Kosova jonë, populli Shqiptar, edhe më gjerë, mbarë njerëzimi.

Së fundi me keqardhje theksojmë edhe një herë botërisht mungesën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës për mosmiratimin e Ligjit që do ta njihte dhe pranonte Personalitetin Juridik të Bashkësive Fetare dhe Kishave në Kosovë, si pengesë e madhe për mirëvajtjen e jetës së besimtarëve tek ne. Shpresojmë dhe urojmë që kjo çështje, tashmë e hapur me vite, të zgjidhet sa më shpejtë dhe më mirë, në dobi të të gjithëve qytetarëve dhe besimtarëve tanë.

Prishtinë, 28 maj 2015    Don Lush GJERGJI








All the contents on this site are copyrighted ©.