2015-06-05 19:21:00

Dhimbja e Papës për aksidentin e tmerrshëm në Ganë


Mase dyqind të vdekur e shumë të tjerë të plagosur ka shkaktuar një shpërthim që ndodhi natën ndërmjet së mërkurës e së enjtes në stacionin e furnizimit të karburantit në Accra, kryeqytetin e Ganës. Për një koincidencë tragjike, në stacionin e shërbimit, që gjendet pranë Nkrumah Circle, në qendër të qytetit, kishte shumë njerëz që kërkonin strehim nga shirat rrëke që prej ditësh kanë përfshirë qytetin dhe kanë shkaktuar përmbytje në lagje të ndryshme. Mbi arsyen e shpërthimit, që shkaktoi një zjarr jashtëzakonisht të madh, akoma nuk dihet saktësisht.
“Thellësisht i trishtuar” për fatkeqësinë që ndodhi duke shkaktuar viktima në njerëz e dëme, u shpreh Papa Françesku në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar presidentit të Konferencës ipeshkëvnore ganeze, ipeshkvit Joseph Osi-Bonsu. Në mesazh, Papa shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e tij, “familjarëve të viktimave e të të plagosurve, autoriteteve dhe mbarë Kombit”, duke kërkuar njëkohësisht dhuratat Hyjnore të ngushëllimit e të forcës për ata njerëz që janë në zi e për ata që janë goditur nga kjo tragjedi. Presidenti ganez, John Dramani Mahama, ka shpallur tre ditë zi kombëtare duke u nisur nga e hëna.   








All the contents on this site are copyrighted ©.