2015-06-04 13:28:00

Papa takohet me pesë të sëmurë rëndë


Para audiencës së djeshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku u takua me tre të sëmurë nga skleroza laterale amiotrofike (sla) dhe me dy të tjerë, me atrofi muskulore spinale (sma), ardhur nga Bari i Italisë. Martina, Anna, Vito, Alessandro dhe Domenico, tregon mjeku i tyre për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, përshkuan mijëra kilometra për të përforcuar fenë e për t’i kërkuar Papës t’i ndihmojë në luftën për të zhdukur barrierat arkitektonike e për t’u garantuar të sëmurëve nga këto sëmundje, asistencë të plotë. Të pestë, vijon mjeku, Pierfrancesco Di Masi, jetojnë të mbyllur në shtëpi e varen krejtësisht nga aparatet për të marrë frymë e për t’u ushqyer. Por dje, ishin në Romë për të treguar se sëmundja, sado e rëndë, nuk mund t’i ndalë.

        Secili i solli Papës një dhuratë personale: Alessandro, përmbledhjet e tij të poezisë; Anna, një bluzë të skuadrës bareze të futbollit e kështu me radhë. Ati i Shenjtë i përqafoi të gjithë. I shoqëronin familjarët dhe personeli shëndetësor, me pesë automjete, të pajisura me sisteme monitorizimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.