2015-06-04 11:32:00

Papa Françesku dhe festa e Korpit të Krishtit: Eukaristia është buka e jetës, që ndihmon njeriun e periferive


Kisha katolike Universale kremton sot Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. E Papa Françesku kryeson në ora 19.00 Meshën Shenjte, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran në Romë. Pas Eukaristisë, Papa Bergoglio udhëheq Procesionin tradicional Eukaristik, me besimtarë, në rrugën romake Merulana, nga bazilika e Lateranit deri te Bazilika e Zojës së Madhe.
Ndër mijëra idhuj – natyrorë, kulturorë, ideologjikë, mediatikë – që burrat e gratë e çdo epoke kanë zgjedhur si perëndi të momentit, simbole ku kanë derdhur shpresat e ambiciet e për të cilat kanë dhënë madje edhe jetën, historia e fesë ka bartur me vete breza të krishterësh, gati të gjunjëzohen para një shenje të vetme, me thjeshtësi çarmatosëse: para bukës Hyjnore të thyer e të ndarë. Shenjtorë të njohur e të panjohur janë në krye të këtyre brezave, që kanë marrë e marrin përditë nga ajo shenjë, dije, guxim, frymëzim, besnikëri. Pasi nga Çenakulli e deri më sot, pikërisht këtë i sjell si pajë Eukaristia atyre që tërhiqen nga e vërteta e një Zoti, bërë mish e bukë, në mesin e mijëra ofertave për të vërtetën.
Të adhurosh Zotin e Jezu Krishtit, i cili u bë bukë e thyer për dashuri, është ilaçi më i vlefshëm e më radikal kundër idhujtarive të djeshme e të sotme. Të gjunjëzohesh para Eukaristisë është shpallje e lirisë: kush përkulet para Jezusit nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fortë që të jetë. Ne të krishterët gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë, sepse e dimë se në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që ka krijuar botën dhe e ka dashur aq shumë, sa të japë Birin e tij të vetëm” ( Benedikti XVI 2008)
Një dashuri krejtësisht pa interes, që mund të preket çdo ditë e që ndahet në miliona pjesë për të arritur tek të gjithë. Kjo është risia e paarritshme e Zotit Eukaristi në krahasim me idhujt njerëzorë, që pretendojnë adhurimin e atyre, që besojnë në ta, duke harruar t’u bëjnë mirë.

Në të kundërt, na kujton Kisha: “Zoti na ka krijuar të lirë, por nuk na ka lënë vetëm”. Për hir të dashurisë për njeriun, i kërkoi Birit të bëhej dritë, udhë, ushqim.“Si mana për popullin e Izraelit, për çdo brez të krishterë, Eukaristia është ushqim i domosdoshëm, që e mbështet, ndërsa përshkon shkretëtirën e kësaj bote, të tharë nga sistemet ideologjike dhe ekonomike që nuk promovojnë jetën, por e lëndojnë; një botë, ku mbizotëron logjika e pushtetit dhe e pasurisë, në vend të asaj të shërbimit e të dashurisë; një botë, ku jo rrallë triumfon kultura e dhunës dhe e vdekjes” ( Benedikti XVI 2007).
Kush jeton me Eukaristi, mëson të bëhet ushqim për të tjerët. Pavarësisht nga kufizimet njerëzore, thirrja e secilit prej nesh është të jemi, së bashku me Jezusin, buka e thyer për jetën e botës.“Festa e Corpus Domini ka për qëllim ta bëjë të dëgjueshme, pavarësisht nga shurdhëria jonë e brendshme, këtë trokitje të Zotit. Jezusi troket në portën e zemrës dhe na kërkon të hyjë jo vetëm për një ditë, por përgjithmonë” (Benedikti XVI 2007).
Sot, Korpi i Krishtit Corpus Domini), del nga tabernakulli dhe kalon në procesion në mes të shtëpive, në mesin e njerëzve. Ky Korp, frymëzoftë fe e mahnitje për shpëtimin e jetën, që i dhuron botës. Në një reflektim të disa vjetëve më parë, Papa Benedikti XVI thoshte: “Në procesion, ne ndjekim këtë e shenjë e kështu ndjekim Krishtin vetë. Dhe i lutemi: ‘Na udhëheq në rrugët e historisë!...Shikoje njerëzimin që vuan, që lëkundet i pasigurt mes njëmijë pyetjesh; shikoje urinë fizike dhe psikike që e mundon! Jepu njerëzve bukë për trupin e për shpirtin! Jepu punë! Jepu dritë! Jepu atyre vetveten!...Bashkoje Kishën tënde, bashkoje njerëzimin e përçarë!” (Benedikti XVI 2006)








All the contents on this site are copyrighted ©.