2015-06-04 15:04:00

Kard. Parolin: Françesku në Sarajevë për paqen e dialogun


“Paqja qoftë me ju”: njihet tashmë motoja e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Sarajevë, të shtunën. Një kalendar i ngjeshur me takime e pret Atin e Shenjtë, i cili do të përforcojë në fe katolikët e Bosnjë-Hercegovinës dhe do t’u çojë të gjithëve mesazhin e paqes e të pajtimit. Për domethënien e kësaj vizite, i drejtuam mikrofonin Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin:

         Para së gjithash, ai (Papa) dëshiron t’u japë guxim katolikëve, që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë. Pastaj, dëshiron të nxisë të mirën në atë tokë e të promovojë gjithçka favorizon miqësinë, vëllazërimin, dialogun ndërfetar dhe paqen. Është interesant të vihet re se këto tema janë paraqitur si në logon, ashtu edhe në moton e udhëtimit. Në logo shohim pëllumbin, që mban në sqep ullirin e paqes; pastaj kemi kryqin, i cili brenda mban një trekëndësh, që përvijon, në mënyrë të stilizuar, kufijtë e Bosnjës; ngjyrat janë ato të flamurit të vendit; e pastaj, ka diçka që të kujton edhe bashkësinë katolike, shumica e së cilës përbëhet nga kroatë. E motoja: “Paqja qoftë me ju” është përshëndetja e Jezusit të ringjallur për apostujt. Papa shkon si shtegtar i dialogut dhe i paqes në atë qytet, që shën Gjon Pali II e pati quajtur “Jeruzalemi i Evropës”.

         Janë të njohura nga të gjithë ngjarjet e trishtuara të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Cili është sot, vendi që do të presë Papën Françesku?

         Askush nuk e pati e as nuk e ka parasysh cilat janë pasojat e luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ato i ka ndjerë sidomos bashkësia katolike, e cila, që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot, praktikisht, është përgjysmuar nga 800 mijë në 400 mijë vetë. Tashmë, në disa famulli, nuk mbeten veçse disa familje, sidomos të moshuarit. Sot, të rinjtë emigrojnë për shkak të papunësisë, për të kërkuar perspektiva më të mira gjetiu. Ka një ulje të madhe demografike, sidomos në bashkësinë katolike. Shtoi kësaj edhe strukturën e ndërlikuar politike të vendit, fryt i Marrëveshjes së Dejtonit, e cila zbatohet me bashkëjetesën e tre etnive themeluese të shtetit: ajo e boshnjakëve myslimanë, ajo e serbëve ortodoksë dhe ajo e katolikëve kroatë. Gjithashtu, kemi tre realitete: nga njëra anë Federata Boshnjake, pastaj Zona e Brçkos e nga ana tjetër, Republika Srpska. Në dhjetor do të kujtohet 20-vjetori i fundit të luftës, por lufta vazhdon akoma të lërë gjurmët e plagët e veta. Gjithsesi, të gjithë e presin Papën me padurim e me shpresë e vërtet, besojnë se ai mund t’i ndihmojë për ta kthyer Bosnjë-Hercegovinën në një shtëpi mikrpitëse për gjithë banorët e saj.

         Cila është gjendja e Kishës? Cilat janë ndërhyrjet më urgjente për të?

         Kisha, megjithëse mes njëmijë vështirësish, vazhdon misionin e vet për shpalljen e Ungjillit e të dashurisë ungjillore për të gjithë njerëzit. Mendoj se mund t’u referohemi këshillave të Papës për ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, gjatë vizitës së tyre “ad Limina” në Vatikan, marsin e kaluar. Papa u tha: “Ndihmoni të varfërit, ndihmoni të brishtët, bëni ç’është e mundur që të rinjtë të mos ikin nga vendi, duke u përpjekur për të krijuar vende pune e siguri shoqërore. E pastaj u tha të jenë të pranishëm në shoqëri “me freskinë e Ungjillit”, të kujdesen më shumë për të rinjtë e për klerin… pra, një Kishë e konceptuar si tharm i gjallë, pavarësisht se shoqëria është e ndërlikuar e për disa aspekte, e vështirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.