2015-06-03 14:01:00

Kardinali Puljiç: me Papën, Sarajeva do të shpresojë sërish


Në Sarajevë, vijojnë përgatitjet për të pritur Papën Françesku, i cili do të shkojë në Bosnjë-Hercegovinë kësaj së shtune. “Sarajeva ime, e harruar prej kohësh, do të rigjejë shpresën. Papa do të na japë guxim”, komenton për agjencinë italiane të lajmeve ADNKRONOS, kardinali i qytetit boshnjak, Vinko Puljiç, i cili e pati ftuar Atin e Shenjtë në qytetin martir, ku akoma shihen shenjat e rrethimit më të gjatë pas Luftës II Botërore. Kujtojmë se Sarajeva, në të cilën jetojnë katolikë, ortodoksë e myslimanë, u mbajt nën rrethim nga serbët gjatë luftës së viteve ‘92-‘95.

         “Sarajeva është harruar nga të gjithë – vëren prelati, në krye të Kishës vendase, që prej 25 vjetësh. Mjaftoi lajmi i Papës për të shkaktuar një mobilizim të madh”. Kardinali Puljiç përshkruan entuziazmin e jashtëzakonshëm, sidomos atë të katolikëve. E Papa, nënvizon, do të sjellë me vete shpresën, edhe për atë vetë, që ka nevojë të inkurajohet, pas 25 vjetësh në krye të Kishës, në një vend me probleme të mëdha.

         Së bashku me të tjerë, kardinali po kontrollon personalisht vendet. “Edhe sot – deklaron për agjencinë ADNKRONOS – ka pasur një mbledhje për sigurinë. Nuk ka shqetësime të veçanta. Papa nuk do të gjejë një qytet të blinduar. E dinë mirë se Papës i pëlqen të zhytet në turmë me papamobilin e hapur”. Në stadiumin Koshevo, ku Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën, ka mbërritur këmbana 320 kilëshe me stemën e Françeskut dhe me simbolin e Shoqërisë së Jezusit. Do të vendoset në kishën e re famullitare, kushtuar shën Injacit të Lojolës e do të quhet këmbana e shën Françesk Ksaverit, misionar jezuit e pajtor i misioneve.

         Ndoshta njerëzit presin që Papa të përmendë Megjugorjen, por sipas kardinalit Puljiç, Ati i Shenjtë po pret përfundimin e punimeve të Komisionit të caktuar për të shqyrtuar çështjen e dukjeve mariane në atë vend. Gjithsesi, nënvizon kardinali, që bën pjesë në grupin e përgatitjes së relacionit, “nuk është mëkat të lutemi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.