2015-06-03 14:49:00

Kard. Parolin do të përurojë kishën e dytë në Abu Dabi


50 vjet pas hapjes së kishës së Shën Jozefit në Abu Dabi, në vitin 1965, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tani në kryeqytet kishën e dytë katolike. E ndërtuar në zonën industriale të Mussafah, në periferi, kisha i kushtohet shën Palit Apostull e do të përurohet më 11 qershor.

Kard. Parolin, i pranishëm në përurim

         Ceremoninë e përurimit do ta kryesojë shehu Nahyan bin Mubarak Al Nahyan, ministër i Rinisë, Kulturës dhe Zhvillimit të Përbashkët, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, të nuncit apostolik në vend e të vikarit për Arabinë Veriore. Do të marrin pjesë edhe personalitete të tjera vendase. Ndërkaq, bekimi i kishës do të bëhet më 12 qershor, me pjesëmarrjen e rreth 5 mijë besimtarëve të bashkësisë së larmishme të Abu Dabit, formuar nga emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme.

Rreth 1 milion besimtarë, të gjithë emigrantë

         Si në të gjitha vendet e Gadishullit arabik, kujdesi baritor për bashkësinë e emigrantëve është qendra e misionit të klerit katolik. Emiratet janë vendi me prani më të madhe të krishterësh, pikërisht sepse emigrantët përfaqësojnë 70% të 4 milion banorëve e ndër ta, gjysma janë të pagëzuar në fenë e krishterë. Vetëm katolikët - shumica e të cilëve, filipinas dhe indianë – arrijnë në një milion vetë. Gjendja e Kishës është e mirë, falë politikës së familjes mbretërore, që respekton të huajt edhe në planin fetar. Linjë e konfirmuar edhe nga ministri aktual i Rinisë, Kulturës dhe Zhvillimit të Përbashkët, gjatë përurimit të Qendrës së re të famullisë së Shën Jozefit, ku inkurajoi bashkësinë katolike ta mbështesë vendin në impenjimin për zhvillimin ekonomik dhe bashkëjetesën paqësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.