2015-06-02 16:38:00

Vlerat ndërfetare të Kosovës janë pozitive për shoqërinë


Konferenca e katërt ndërkombëtare ndërfetare e organizuar ditëve të kaluara në Prishtinë, pati një përhapje globale në mediat sociale, me një pjesëmarrje të mirë të të rinjve, të grave dhe një përfaqësi diversiteti të rëndësishëm.
Ngjarja që pati për temë “Dialogu ndërfetar në kohën e mediave sociale: Jetësimi i agjentëve të ndryshimit, kundërvënia ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes”, u përqendrua në diskutimin e temave përmes një qasjeje multi-disiplinore dhe krijimit të mjeteve shoqërore, në shërbim të përmirësimit të aktivizimit shoqëror kundër ekstremizmit fetar.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin liderë botërorë fetarë, ministra e zyrtarë të lartë qeveritarë, ndërmarrës, përfaqësues ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Fjala hyrëse nga kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga u pasua nga një fjalimi i fuqishëm i rabinit kryesor të Norvegjisë, Michael Melchior, fjalim ky i mirëpritur dhe duartrokitur nga të gjithë pranishmit. Krerët fetarë të Kosovës, po ashtu iu drejtuan pjesëmarrësve me mesazhe e vizione të veçanta e pozitive. Në mesin e tyre ishin z. Ejup Ramadani nga Bashkësia Islame e Kosovës; Dr. Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës; Ati Sava nga Kisha Ortodokse; Pastor Driton Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës; Sheh Lulzim Shehu, nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës; z. Votim Demiri, nga Bashkësia Hebraike e Kosovës; Baba Mumin Lama, nga Komuniteti Bektashi i Kosovës.
Zyrtarja e lartë ekzekutive pranë Facebook, MonikaBickert, duke vazhduar diskutimet në ditë e dytë të konferencës, ofroi një prezantim të çmuar mbi politikat dhe praktikat e Facebook-ut në raportimin ‘ekstremizmit të dhunshëm, gjuhës së urrejtjes, dhe përmbajtjes grafike’.
Duke shprehur kënaqësinë e saj për takimin me një grup të veçantë e pluralist të njerëzve nga mbarë Kosova dhe rajoni, ajo theksoi fuqinë e përdorimit të mediave sociale për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, dhe shtoi: “Ne kemi nevojë për të biseduar më shumë mes vete, të diskutojmë hapur, të rrisim vetëdijesimin e të promovojmë tolerancën.”
Debati vazhdoi me një panel të akademikëve, diplomatëve, gazetarëve dhe aktivistëve: Dr. Debra Mason (SHBA); Sarah Snyder (SHBA); Andreas Sandra (Itali); Behar Xharra (Bangladesh/ Kosovë); Ben Freeman (Skoci, Mbretëri e Bashkuar); dhe Brian Pellot (SHBA). Ata diskutuan mënyrat për përhapjen e rrëfimeve jashtëzakonisht të gjalla nga këndvështrime të kundërta si dhe për promovimin e modeleve pozitive.
Z. Dushko Markoviq, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, ndau me të pranishmit shembuj pozitiv të tolerancës ndëretnike nga vendi i tij – për të treguar se si marrëdhëniet e mira nuk i kontribuojnë vetën sigurisë, por edhe shoqërisë.
Një panel i moderuar nga Valerie Hopkins, pranë Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtues, mblodhi akademikë, aktivistë dhe krerë fetarë për të diskutuar luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, përmes grupeve fetare në komunitete dixhitale dhe lokale. Ian Linden (Mbretëria e Bashkuar); profesor Francisco Blanco (Panama); rabini Joshua Stanton (SHBA); z. George Labreche (SHBA/Kosovë); dhe profesor Besa Ismaili (Kosovë) inkurajuan zhvendosjen e debatit te komuniteti qytetar dhe nisjen e debatit të thellë ne familje dhe në hapësira fetare.
Punëtoritë e drejtuara nga Sir Geoffrey Nice (Mbretëri e Bashkuar); Harold Hyman (Francë); Petrit Selimi (Kosovë); Andreas Sandre (Itali); dhe Veton Nurkollari (Kosovë) diskutuan thelbin e drejtësisë dhe diplomacisë dixhitale në procesin e pajtimit të pas luftës, por folën edhe për blogjet politike, përdorimin sa më efektiv të mesazheve progresive, dhe organizimin e festivale të filmit me rëndësis shoqërore.
Një panel dinamik i moderuar nga gazetarja hulumtuese kosovare Arbana Xharra bashkoi komentatorë dhe gazetarë nga mediat tradicionale për të diskutuar se agjencitë e lajmeve i marrin, shqyrtojnë dhe raportojnë çështjet fetare. Harold Hyman, Antoine Colonna (France) dhe Norbert Mappes-Niediek (Gjermani) folën për qasjen e botës mediatike ndaj pyetjeve kritike nga audienca tejet aktive.
Konferenca u përmbyll me moderimin e një paneli nga zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Selimi, panel ky i quajtur “të lëvizim përpara, më shpejtë përpara”. Maqsoud Kruse (Emiratet e Bashkuara Arabe); i përndershmi Donald Reeves (Mbretëria e Bashkuar); dhe Dr. Tina Kempin Reuter (SHBA) ofruan prezantime frymëzuese dhe sugjerime praktike për të ardhmen, duke përfshirë shndërrimin e Kosovës në një qendër globale për konferenca ndërfetare. 
Përdorimi i shkathtë i mediave sociale nga pjesëmarrësit gjatë konferencës e ngriti debatin i cili shënoi rekorde të reja të përfshirjes dhe mbulimit global për një ngjarje nga Kosova.
Konferenca u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar (IIID), me mbështetje të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit Britanik, Ambasadës britanike, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Gjermane.








All the contents on this site are copyrighted ©.