2015-06-02 17:01:00

Papa do të njihet me vuajtjen e qytetit martir të Sarajevës


“A është e vërtetë që populli yt ka vuajtur shumë?”. Papa Françesku e pyeti kështu françeskanin Stjepan Brcina, duke i puthur duart, i saposhuguruar prej vetë Atit të Shenjtë Bergoglio më 26 prill, në të Dielën e Bariut të Mirë, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Frati është nga Drijenca e Bosnjës. Ati i Shenjtë Bergoglio do të shkojë në Sarajevë të shtunën, më 6 qershor. Këtë episod e tregon fra Tomislav Mrkonjic, kroat, pedagog i historisë së Kishës në Fakultetin Papnor Teologjik “Shën Bonaventura” të Romës, i njohur si Ateneu Seraphicum.

Por, nuk është hera e parë, që Papa Françesku mendon për Bosnjën e vuajtur. E bëri këtë edhe në çastin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Kjo do të thotë se e njihte mirë gjendjen, që më parë, kur ishte në Argjentinë. Fra Tomislav Mrkonjiç tregon se rrëfuesi i Papës ishte një françeskan nga Provinca e Hercegovinës, ndërsa një sivëlla i tij jezuit ishte nga Kroacia.

Kështu, me udhëtimin e ardhshëm në Sarajevë, Papa Françesku i qëndron besnik misionit të shpallur nga ai vetë, në ditën e zgjedhjes: të njohë personalisht vuajtjet e besimtarëve “të perfierisë”, t’u qëndrojë afër, t’i inkurajojë e t’i ndihmojë nevojtarët, ata që janë të varfër jo vetëm materialisht, por edhe shtypen nga të pushtetshmit, nga politika e padrejtë, nga e keqja, që përhapet gjithnjë e më tepër e që duket sikur dominon popujt.

Në Bosnjë, siguron françeskani kroat, “vizita e Papës është pritur mirë nga qeveria federale, e cila është treguar e kënaqur me këtë gjest të mëtejshëm të Vatikanit e të Kishës në përgjithësi për të mbështetur e ndihmuar procesin e paqes e të dialogut ndërfetar. Gjithashtu, shihet edhe si sinjal i fortë politik për të integruar sa më parë Bosnjë-Hercegovinën në Bashkësinë Evropiane”.








All the contents on this site are copyrighted ©.