2015-06-02 16:15:00

Panairi i 17-të i Librit hapet sot në Prishtinë


Panairi i 17-të i Librit hapet sot në Prishtinë në ambiente të Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Në panairin i cili do të zgjasë deri më 7 qershor marrin pjesë  afër rreth 10 botues. Duke qenë panair tashmë me traditë e fizionomi të konsoliduar, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli tha se gjithçka është gati për 2 qershorin, kur do të bëhet hapja e Panairit të 17-të më radhë të librit. “Promovim të librave do të ketë çdo ditë, 7 deri në 10 promovime ditore. Njoftimet bëhen një ditë më herët, për të mundësuar pjesëmarrjen sa më të madhe të botuesve, autorëve, mediave e natyrisht edhe lexuesve e dashamirëve të librit, thotë Zeneli.

SHBK-ja po ashtu ka në program edhe darkën solemne më 6 qershor, në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/ publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital si dhe shpallet: Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), shkrimtari i vitit (letërsi të huaj), stenda më e vizituar. Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj. 

Ceremonia e hapjes bëhet më 2 qershor, në orën 18,  mbyllja më 7 qershor, në orën 18:00. Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj, rreth 1.100. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4.000. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Libri është miku që nuk të mashtron kurrë. Kështu thotë një fjalë e urtë e bie  ndër mend edhe një pohim tjetër, sipas të cilit, kultura ka përfituar nga ato libra, me të cilët botuesit kanë humbur. Një tjetër pohim thotë se gjysma e librave që janë shtypur nuk shiten, gjysma e librave që shiten nuk lexohen, gjysma e librave që lexohen nuk kuptohen, gjysma e librave që kuptohen, janë kuptuar krejtësisht ndryshe. Cfare do te na sjell Panairi ne fjale??








All the contents on this site are copyrighted ©.