2015-06-02 13:43:00

Burundi: dështon atentati ndaj kryeipeshkvit të Buzhumburës


Dështon një atentat kundër kryeipeshkvit burundez të Buzhumburës, imzot Evariste Ngoyagoye, gjatë procesionit të së dielës për mbylljen e muajit marian. Lajmin e jep Kisha e Burundit, sipas së cilës, shërbimi i sigurimit, i formuar nga të rinjtë e dioqezës, kontribuoi për dështimin e sulmit. Edhe njëri nga anëtarët e grupit, që mori pjesë në organizimin e atentatit, konfirmoi për radion “Voice of America” se ishte gjithçka gati.

Ipeshkvijtë kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale

         Ky episod ndodhi pasi Konferenca Ipeshkvnore, me anë të dy deklaratave, mbajti qëndrim ndaj krizës, që filloi për shkak të vendimit të presidentit Pierre Nkurunziza për t’u paraqitur në zgjedhjet e parashikuara më 26 qershor, duke kërkuar një mandat të tretë, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe me Marrëveshjen e paqes në Arusha. Në një mesazh, më 12 maj, ipeshkvijtë kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa në atë të së enjtes së kaluar, lajmëruan tërheqjen e meshtarëve, të cilët patën kërkuar leje për të marrë pjesë në komisionet zgjedhore të pavarura.

Edhe shtetet afrikane kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve

         Ndërkaq, dje, në Dar es Salaam, në Tanzani, u mbajt mbledhja e krerëve të shteteve të Afrikës lindore, kushtuar krizës në Burundi. Pjesëmarrësit kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve së paku për një muaj e gjysëm, por nuk u fol për gjendjen e opozitës, së cilës nuk i lejohet të flasë përmes radios, si edhe për çështjen e mandatit të tretë antikushtetues të presidentit aktual. Prandaj, krerët e opozitës kanë lajmëruar se do të rifillojnë protestat.








All the contents on this site are copyrighted ©.