2015-06-02 14:20:00

Aktivistët pakistanezë: “Keqësohet gjendja e pakicave”


Në Pakistan, hapësira dhe liria për pakicat etnike e fetare ngushtohet gjithnjë e më shumë. Ata, që mbrojnë të drejtat e njeriut, janë vënë në shënjestër. Denoncimin e bëjnë pjesëmarrësit në konferencën me titull “Pakicat etnike dhe liria e shprehjes në Pakistan”, organizuar nga Instituti Jinnah, qendër prestigjoze studimesh, me seli në Karachi e me emrin e themeluesit të atdheut Ali Jinnah. Në këtë kuvend u mblodhën aktivistë të shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjen e pakicave fetare në Pakistan. Ndër temat e takimit, edhe mungesat në sistemin e komunikimit e të informimit. Vetë gazetarët kërcënohen e nuk mund të shkruajnë lirisht për problemet e pakicave.

Shoqëria pakistaneze është bërë “një” kundër pakicave

         Gjatë konferencës u kujtuan politikanët, aktivistët, akademikët, profesorët, policët, afaristët e të tjerët, që janë vrarë, ose janë goditur në një mënyrë, apo në tjetrën, thjesht, sepse janë anëtarë të pakicave, ose i mbrojnë ato. U vu në dukje se shoqëria është radikalizuar, për shkak të glorifikimit të një sistemi të vetëm besimi, të atij islamik, në dëm të gjithë të tjerëve. Askush nuk guxon të pohojë se ligjet e sotme pakistaneze janë diskriminuese. Disidenca dhe modernizimi i shoqërisë demonizohen vazhdimisht.

Urrejtja përhapet që në shkolla

         Krerët politikë nuk kanë shumë interes të zgjidhin problemet e pakicave, u tha më tej, në takim, pavarësisht se Kushtetuta u garanton të drejtat themelore. U dha si shembull sulmi kundër dy kishave katolike, në Youhanabad dhe në Lahore, për të cilat mjetet e komunikimit nuk folën aspak, për t’i lënë vend menjëherë më pas, linçimit të dy myslimanëve, rezultat i atentateve kamikaze. Rrënjët e këtij qëndrimi, sipas të pranishmëve në konferencë, duhen kërkuar në urrejtjen, e cila kultivohet që në shkollë, por edhe nëpër xhami.








All the contents on this site are copyrighted ©.