2015-06-01 17:43:00

Përtej “Legjendës së zezë”. E vërteta mbi Vatikanin e nazizmin


Piu XII dhe Kisha e kohës së tij nuk e favorizuan ikjen e kriminelëve nazistë. Një studim i gjatë e i dokumentuar i kundërvihet gënjeshtrave ideologjike, duke hedhur mbi ta dritën e së vërtetës historike. Titullohet “Përtej legjendës së zezë” libri i botuar nga Mursia, i shkruar nga historiani Luigi Guiducci e i paraqitur këto ditë pranë selisë së Radios sonë.

Është një studim i thelluar, përmes gërmimit të gjatë në arkiva  ndërkombëtare, ky i Pier Luigi Guiducci-t, për t’i dhënë fund “legjendës së zezë” sipas së cilës Kisha akuzohet për favorizimin e kriminelëve nazistë. S’ka gjë më të pasaktë. E vërtetojnë dokumentet: eksponentët e Reich-ut të Tretë depërtuan ndërmjet refugjatëve, në disa raste edhe me mbështetjen e Aleatëve, që i përdorën si spiunë në Bashkimin Sovjetik,  por pa dijeninë e organizatave të lidhura me Kishën, angazhuar në ndihmat humanitare. Historiani Pier Luigi Guiducci skicon një hartë të hollësishme të vendeve ku gjenin strehim kriminelët nazistë, duke i shtuar edhe listën e komunave, që u lëshonin dokumente të rreme:

Përgjigje: - Shumë nga pohimet kundër Kishës katolike dhe njerëzve të saj janë të gabuara, nuk mund të vërtetohen me dokumente. Ka shumë heshtje lidhur me realitete jashtëzakonisht të rëndësishme. Posaçërisht duhet bërë dallim ndërmjet lëvizjes së refugjatëve e ikjes së kriminelëve nazistë. Lëvizja e refugjatëve përfshiu mijëra e mijëra njerëz, që u ndihmuan, u mbështetën e u shoqëruan nga veprat bamirëse të Kishës. Pastaj qe edhe grupi i kriminelëve, nazistëve e aleatëve të tyre, që kishin mjete, njerëz, bashkëfajtorë, njohuri e, sidomos, para, shumë para, përmes të cilave krijuan të gjitha mundësitë për të shpëtuar nga duart e drejtësisë, që i kërkonte më kot, pa mundur t’i gjejë, sepse të mbrojtur.

Pyetje: - Pse, atëhere, u krijua “legjenda e zezë”? Pse gjithë këto  gënjeshtra, që shiten si të vërteta?

Përgjigje: - Sepse u krijua një situatë më shumë e tipit ideologjik, sesa historik. Ata që nuk ishin në favor të Kishës, si sovjetikët dhe aleatët e tyre  - të mos harrojmë ateizmin e kohës – nisën të krijojnë një sërë legjendash të zeza, për t’u mbyllur gojën atyre që flisnin keq për komunizmin. E ndërmjet atyre, që nisën të sulmoheshin, ishte, natyrisht, edhe Piu XII, që pas Luftës II Botërore u kujtonte të gjithëve masakrat e kryera.

Pyetje: -   Po sot kohët janë më të pjekura për të vërtetën historike, apo jo?

Përgjigje: - Historianët kanë ndryshuar, janë më pak të ideologjizuar, sepse po largohemi gjithnjë më shumë nga 1945-sa – kanë kaluar tashmë 70 vjet - e sepse ka nisur dialogu ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve e ekziston edhe mundësia për njohje ndërkombëtare të fakteve, që më parë nuk ekzistonte. Shumë nuk i njohin të vërtetat, sepse të fshehura nga regjisorë e shkrimtarë, që u morën posaçërisht me krijimin e legjendës së zezë, me “Operacionin e famshëm Odesa” e fituan shumë në këtë drejtim: folën për vrasje, ngjarje të fshehta, që nuk mund të zbuloheshin krejtësisht, sepse të mbështjella me mjegullën e kohës.  Por e gjithë kjo përpjekje, pak e ngapak, me kalimin e kohës, nisi të zbehet.

Do të mungonte e vërteta historike, po të  thuhej se Kisha u vu në shërbim të kriminelëve, shpjegon jezuiti atë Peter Gumpel, relator i Çështjes së Lumnimit të Papës Pacelli e autor i parathënies së tekstit, që i jep fund shpifjeve rreth marrëveshjes së fshehtë në Gjenovë, të kardinalit Siri për ikjen e nazistëve:

Përgjigje: - Nuk ka asnjë provë, as një të paktën, që të vërtetojë se Kuria e Gjenovës, kardinali Siri dhe asistentët e tij, deshën, me vetëdije, të shpëtojnë qoftë edhe një kriminel lufte. Prej këndej, të gjitha sulmet janë tejet larg së vërtetës, e njëkohësisht edhe të padrejta. Nuk të çudit aq atmosfera e përgjithshme e disave, që janë kundër Kishës katolike, sa vëmendja që i kushtohet pohimeve të tilla. Duhet kujdes për të dalluar çka është historikisht e saktë. Tjetër gjë është e vërteta, tjetër, pohimet në erë, akuzat pa bazë. Ku janë provat? Nuk ekzistojnë!








All the contents on this site are copyrighted ©.