2015-06-01 13:11:00

Françesku: pikërisht nga hedhurinat Zoti “nxjerr shëlbimin”


Shumë herë i kemi thënë Krishtit “shko në punë tënde”, duke mos e pranuar, me mendimin e “dështimit”, në dukje, të Kryqit. Por fitorja e dashurisë së Zotit për njeriun shihet qartë pikërisht në “dështimin”, në dukje, të Kryqit të të Birit. E këtë na e tregon shëmbëlltyra e vreshtarëve vrasës, komentuar nga Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.

Guri i flakur nga ndërtuesit, bëhet gur themeli. Një vend shkandullues  ekzekutimi, që duket sikur i jep fund një historie plot shpresa, shndërrohet në fillesën e shëlbimit të botës. Zoti ndërton mbi ligështinë, por nëse ndokush i lexon faqet e dashurisë së Hyjit me popullin e vet, vërejti Françesku, i duket si të ishte histori dështimesh. Njëri pas tjetrit! Si shembëlltyra e vreshtarëve vrasës, e propozuar nga Ungjilli i ditës, që duket, shpjegoi Papa, si “dështim i plotë i ëndrrës së Zotit”. Kemi para sysh një zotëri, i cili vë një vreshtë të bukur, e ca vreshtarë, që ua marrin shpirtin të gjithë njerëzve, që dërgon zotëria. Por pikërisht nga këta të vdekur, gjithçka merr jetë:

“Profetët, njerëzit e Zotit, që i folën popullit e ai nuk i dëgjoi, por i flaku tutje, ata e fjalët e tyre, si të ishin hedhurina, do të ishin lavdia e tij. Biri, i dërguari i fundmë, që u flak, u gjykua, nuk u dëgjua, u mbyt, u bë guri i këndit. Kjo histori, që nis me një ëndërr dashurie e që duket si histori dashurie, ndonëse njëkohësisht edhe dështimi, përfundon me dashurinë e madhe të Zotit, që nga hedhurina nxjerr shëlbimin; nga Biri i Tij i  flakur, i gozhduar, i shpëton të gjithë”.

Nuk duhet ta harrojmë Kryqin

E pikërisht këtu logjika e dështimit kthehet përmbys, pohoi Papa. E Jezusi u kujton krerëve të popullit, duke cituar Shkrimin Shenjt: “Guri që ndërtuesit e flakën tutje, u bë gur i këndit. Kjo është vepra e Zotit, mrekulli për sytë tanë!”. E është kënaqësi të lexosh në Bibël, vijoi Françesku, edhe vajtimet e Zotit, të Atit, që “qan”, kur populli nuk di as nuk do t’i bindet, sepse ëndërron të bëhet vetë zot:

“Udha e shpërblimit tonë është udhë plot dështime. Edhe i fundmi, ai i kryqit, është një nga shkandujt. Por pikërisht aty fiton dashuria. E kjo histori, që nis me një ëndërr dashurie e vijon me një histori dështimesh, përfundon me fitoren e dashurisë: Kryqin e Jezusit. Nuk duhet ta harrojmë këtë udhë, është e vështirë. Ashtu si udha jonë. Nëse ndokush bën rrëmimin e ndërgjegjes, do të shikojë se shpesh, tepër shpesh, i ka dëbuar profetët. E shumë shpesh i ka thënë edhe Jezusit: “ik”. “shko në punë tënde”, sa herë ka dashur ta shpëtojë vetveten. Sa herë kemi menduar se ne ishim të drejtët.

Kujtimi i kësaj fare të dashurisë

Atëherë, nuk duhet ta harrojmë kurrë, përfundoi Françesku, se në vdekjen mbi kryq të Birit, duket qartë dashuria e Zotit me popullin e vet:

“Do të na bëjë mirë ta kujtojmë, ta sjellim në mend këtë histori dashurie, e cila në fillim  duket si e dështuar, por në fund fiton. Duhet ta kujtojmë këtë histori, në  historinë e jetës sonë, sepse është histori e farës së dashurisë, që Zoti e mbolli në zemrat tona. E duhet të kujtojmë edhe si shkoi puna e saj  e të bëjmë atë, që bëri Jezusi në emër tonë: u përul”.

Në përfundim njoftojmë se gjatë javës, nga data 2 deri më 8 qershor, Papa nuk do ta kremtojë Meshën e mëngjesit.   








All the contents on this site are copyrighted ©.