2015-05-31 15:46:00

Në Francë shpallet i Lum don Louis-Edouard Cestac, prift i të varfërve


Në Bayonne të Francës sot u kremtua Mesha me ritin e lumnimit të Louis-Edouard Cestac, prift dioqezan, themelues i Institutit të Shërbëtoreve të Marisë (vdekur më 1868). Papën e përfaqësonte kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. E intervistuam:

Përgjigje: - Po. Lindi në Bayonne, më 6 janar 1801. I ati, Dominique Cestac, ishte kirurg anijesh; e ëma, Jeanne Amitessarobe, me origjinë spanjolle-baske. Pasi kreu studimet pranë Seminarit të Vogël të Aire-sur-Adour dhe Seminarit të San-Sulpice, në Paris, Louis Edouard u emërua në Seminarin e Vogël të Larresore. Duke vijuar formimin kishtar, u bë profesor. U shugurua diakon më 26 qershor 1825; meshtar, më 17 dhjetor 1825. Ishte vetëm 24 vjeç. Më 27 gusht 1831 u emërua mëkëmbës në Katedralen e Bayonne. Tejet i ndjeshëm për fatin e të varfërve e të vajzave të braktisura rrugëve, më 1936 themeloi një shtëpi pritjeje, të cilën e quajti “Parrizi i madh”. Më 1838, në një fermë të Anglet, të quajtur “Zoja e strehës së mirë”, nisi punën për formimin e vajzave të braktisura, me liri të plotë për të zgjedhur një rrugë të re jete, atë të punës. Më  6 janar 1842 themeloi Kongregatën e Shërbëtoreve të Marisë. Më 1852, pas njohjes zyrtare të Kongregatës, me dekretin e 14 dhjetorit 1852, i nisi rregulltaret e tij nëpër fshatra, për të hapur shkolla. Specialist agronomie, e shndërroi shpejt fermën e “Zojës së strehës së mirë” në vend ku eksperimentohej e hapeshin rrugë të reja për një bujqësi më premtuese. I zgjedhur kryetar i panairit bujqësor të Bayonne në vitin 1857, më 1865 u dekorua me Urdhërin e Legjionit të Nderit” nga Napoleoni III, për veprimtari shoqërore. Kongregata e tij sot është e pranishme në shumë vende të botës.

Pyetje: - Hirësi, ç’mund t’i thotë i Lumi i ri botës së sotme?

Përgjigje: - Besoj se prej tij mund të mësojmë tri gjëra: së pari, na fton të jemi përherë besnikë ndaj Zotit e Provanisë së Tij; së dyti, të jemi plot mëshirë për të afërmin e, së treti, të ecim gjithnjë në rrugën e shenjtërisë, sepse shenjtëria është qëllimi kryesor i jetës së krishterë.

Kujtojmë se Louis-Edouard Cestac vdiq në Anglet, më 27 mars 1868. Duket sikur me fjalën vdekje, mori fund edhe jeta e tij  tejet aktive. Po dita e sotme tregon se e priste edhe një ngjarje tjetër, më e lumja mbi këtë tokë, e jetës së tij të gjatë, shkrirë për Krishtin e miqtë e Tij: lartimi në nderimet e elterit!








All the contents on this site are copyrighted ©.