2015-05-31 15:38:00

E diela me Papën dhe Kishën, në dialog me botën


Veprimtaria më e rëndësishme e së dielës për Papën, ishte kremtimi i lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Ndërsa dje, në Sallën Pali VI, në Vatikan, Françesku u takua me pjesëmarrësit e nismës “Treni i fëmijëve”, organizuar nga “Oborri i jo  besimtarëve”.

Është hera e tretë që organizohet kjo nismë për fëmijët, të cilët jetojnë në kushte të vështira. Sivjet treni, i vënë për herë të tretë në dispozicion nga Grupi i Hekurudhave të Shtetit Italian, arriti në stacionin e Vatikanit, i ngarkuar me udhëtarë jo të zakonshëm. Vagonat ishin plot me bij e bija të të burgosurve, ardhur nga Roma, Civitàvecchia, Latina, Bari e Trani.

Tema e Edicionit 2015: “Fluturim”, për t’u krijuar fëmijëve, që jetojnë në burgje, së bashku me nënat e tyre, e atyre, që janë të ndarë nga nënat, sepse të burgosura, një ditë larg burgut, një ditë me fluturime fantazie në mjedise krejt të tjera e në horizonte të tjera. Treni arriti në stacionin e Vatikanit rreth orës 10.40 e të vegjlit, së bashku me shoqëruesit e tyre, hynë në Sallën e Palit VI, si në një sallë përrallash. E në mesditë aty arriti edhe Papa Françesku, njeriu që i do me shpirt fëmijët. Atëherë në sallën mahnitëse fluturuan balonat ngjyra-ngjyra, që u kujtuan edhe një herë të gjithëve temën “Fluturim”- “Fluturime”, sot me fantazi, nesër, urohet,  me jetë, larg dritareve me hekura të kryqëzuar.

Mbretëria e Bashkuar: Në Londër, pranë Abacisë së Westminster, Kapela Muzikore Papnore dha një koncert me muzikë të shkruar për kremtimet e papëve, nga kompozitori i shquar i Kapelës Sikstine, Giovanni Pierluigi da Palestrina.

Kujtojmë se Abacia e Westminsterit është vendi më i rëndësishëm i kultit anglikan në Londër, menjëherë pas Katedrales së Shën Palit, seli e kurorëzimit të mbretërve të Anglisë e vendvarrosje e personaliteteve më të rëndësishme. Për  vlerat e saj të jashtëzakonshme artistike, Abacia është shpallur pasuri e Unesco-s.

Në mjediset e saj u shfaq Koncerti, shenjë e thellimit të mirëkuptimit ndërmjet katolikëve e anglikanëve, në përpjekjen e përbashkët për të qenë të gjithë “një gjë e vetme”, sipas dëshirës së vetë Krishtit.

Në Itali sot u kremtua Dita XIV e lehtësimit të vuajtjes. E organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, dita nuk pati për qëllim t’i shpallë luftë dhimbjes, as vuajtjes fizike e shpirtërore, posaçërisht të njerëzve me sëmundje të rënda, sepse kjo është e pamundur. Ndërsa bëhet gjithnjë më e mundur të lehtësohen dhimbjet e vuajtjet e kota, çnjerëzore e çnjerëzuese, fizike e morale. Lindi me këtë synim Dita për lehtësimin e vuajtjes e fashitjen e dhimbjes, më 24 maj 2001.

Kjo ditë u pri e do të pasohet nga një mori nismash e manifestimesh: kuvëndime, takime formuese, botime, shfaqje në vende ku ka vuajtje e dhimbje, transmetime radiofonike etj etj.

Edhe Poliklinika “Agostino Gemelli”  mori pjesë në këtë nismë, me një   shfaqje, në të cilën ishin të pranishëm personalitete të njohura të skenës e të ekranit. Gjatë koncertit, që u dhuroi të sëmurëve, shtruar në këtë spital të njohur botërisht, një çast lehtësimi fizik e shpirtëror, u ndanë edhe çmimet për fituesit e konkursit me temë “Spital, që lehtëson vuajtjet”. Në konkurs  u paraqitën krijime të të gjitha natyrave, nga pikturat, tek tregimet, poezitë video-klipet, përrallat e ilustruara e lloje të tjera arti, që kishin si tematikë pikërisht lehtësimin e dhimbjes, harrimin, qoftë edhe për një çast, të vuajtjes. Parulla, që lexohej kudo këtë ditë në spitalin “Gemelli”, ishte “tëqëndroshpranë”: pranë atij, që vuan, atij që ka dhimbje, për t’ia lehtësuar”.

Edhe Papa ishte i pranishëm në këtë ditë. Në përfundim të lutjes mariane të së dielës kujtoi të sëmurët e shtruar në Poliklinikën “Agostino Gemelli” dhe u dha, atyre si dhe punonjësve të shëndetësisë, që u shërbejnë, bekimin e tij apostolik.

Sot, në Lisbonë të Portugalisë, u kremtua Dita e Kishës dioqezane me temë: “ Njerëzit e kushtuar të Kishës, në mision drejt sinodit dioqezan”.

Në Spanjë dita e sotme iu kushtua motrave të klauzurës, që e kalojnë jetën të mbyllura në kuvende, duke  punuar e duke u lutur për mbarë njerëzimin, në lidhje të vazhdueshme, ndonëse në vetmi të plotë, me ngjarjet e botës që zjen pas mureve, deri në skajet më të largëta. Synimi, të ndihmohen motrat që me lutjet e tyre, ndihmojnë mbarë botën. “Pro orantibus”, u quajt kjo ditë në Kishën spanjolle.

Dita e sotme ishte gjithashtu Dita pa tym duhani! Ditë kushtuar atyre që tymitin, duke dëmtuar rëndë veten, mjedisin e të afërmit. Sot u ftuan ta lënë duhanin, së paku për një të dielë. Sa tym më pak u dynd sot mbi mjediset e mbarë botës?

Ndërsa nesër do të festohet Dita botërore e prindërve, themeluar nga OKB-ja në vitin 2012, me synim që të kremtohen e të falënderohen prindërit e mbarë botës për djersën që derdhin në përpjekjen e mirërritjes e të edukimit të fëmijët e tyre. Përgjegjësi e rëndë e përpjekje, që vijon gjithë jetën! Mjafton të kujtojmë  fjalën e urtë të popullit shqiptar: të rritësh një fëmijë, është njëlloj si të hapësh një pus me gjilpërë”, për ta kuptuar sa shumë meritojnë të kremtohen prindërit.








All the contents on this site are copyrighted ©.