2015-05-29 15:16:00

Papa Françesku: Feja e vërtetë bën mrekulli, jo tregti!


Feja e vërtetë, fe e njeriut që ia hap zemrën të tjerëve e di të falë, bën mrekulli. Zoti na ndihmoftë të mos biem në një besim egoist e afarist: këtë theksoi Papa gjatë Meshës, kremtuar sot në mëngjes në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Jezusi e dënon egoizmin shpirtëror

Ungjilli i ditës, përmes figurës së fikut, që nuk jep fryt, propozon “tri mënyra jetese” të tregtarëve të Tempullit e të njeriut të fesë. Fiku, pohoi Papa, është simbol i shterpësisë, i një jete pa fryt, jetë që nuk është në gjendje të krijojë asgjë të re. Jetë, që nuk lidh as nuk pjek fryte. Jetë e paaftë për të bërë diçka të mirë:

“Jetë e njeriut, që jeton vetëm për vete, njeriut egoist, që nuk do probleme. E Jezusi e mallkoi drurin e fikut, sepse nuk përpiqet të japë fryte. Është simbol i njeriut, që nuk bën gjë prej gjëje për të ndihmuar të tjerët, që jeton gjithnjë vetëm për vete, që ka një shqetësim të vetëm. Të mos i mungojë asgjë. Në fund të fundit njerëz të tillë përfundojnë në gjendje nevrotike, të gjithë! Jezusi e dënon shterpësinë shpirtërore, egoizmin shpirtëror... Unë jetoj për vetvete, nuk dua të më mungojë asgjë, të tjerët t’i bëjnë derman vetes!”.

Feja nuk duhet shndërruar në tregti

Mënyrë tjetër jetese, nënvizoi Papa, është ajo e shfrytëzuesve, e tregtarëve në Tempull. Arrijnë deri në atë pikë, sa ta shfrytëzojnë edhe vendin e  shenjtë të Hyjit për të bërë tregti: shkëmbejnë monedha, shesin bagëti për flijim, kanë deri sindikatën e tyre, për t’u mbrojtur. E priftërinjtë e Tempullit, në vend që t’i jepnin fund një turpi të tillë, e lejonin, madje edhe e mbronin. Janë këta, që e shndërrojnë fenë në tregti! Në Bibël, kujtoi Papa, njihemi me historinë e bijve të një prifti, të cilët i nxisnin njerëzit të jepnin sa më shumë lëmoshë e kështu pasuroheshin për vete, me lëmoshën e Tempullit. Prandaj Jezusi nuk ua kursen fjalët:

“Shtëpia ime do të thirret shtëpi e lutjes. Ndërsa ju e keni bërë strofull hajdutësh”.

Njerëzit, që shtegtonin në Tempull për të kërkuar bekimin e Zotit, për të bërë një flijim, binin në kthetrat e tyre, shfrytëzoheshin prej tyre. Priftërinjtë nuk i mësonin të luteshin, nuk u bënin katekizëm.. Ishte strofkë hajdutësh. Paguani, hyni... Bënin rite, boshe, pa mëshirë. Nuk e di në se bën mirë a keq të mendosh se edhe ndër ne, në ndonjë vend, mund të ndodhin shëmtime të tilla. Mund të përdoren gjërat e Zotit, për të nxjerrë përfitim personal.

Feja, që ndihmon të tjerët, bën mrekulli

Mënyra e tretë e jetesës është “jeta e fesë”, siç tregon vetë Jezusi, “Keni besim në Zotin!”. Nëse ndokush do t’u thoshte këtyre maleve “Luani vendit e hidhuni në det”, pa dyshuar aspak në zemër të vet, por duke besuar plotësisht se çka thotë, edhe do të ndodhë, ngjarja e pritur ndodh me të vërtetë. Kini besim se gjithçka kërkoni në lutje, me fe të vërtetë, do të ndodhë. Do të ndodhë gjithçka, që e kërkojmë me fe të palëkundur:

“Është stili i jetës së fesë. ‘Atë, ç’duhet të bëj për këtë?’; ‘Lutju Zotit të të ndihmojë të bësh punë të mira, por me fe. E me një kusht të vetëm: kur ju luteni, po të keni ndonjë mllef kundër ndokujt, faleni! Është kushti i vetëm, që edhe Ati  juaj që është në qiell, t’ju falë juve, t’jua ndjejë fajet e mëkatet tuaja. Ky është stili i tretë i jetës. Feja. Feja, që të shtyn t’i ndihmosh të tjerët, për t’iu afruar Zotit. Kjo fe bën mrekulli!”.

Në përfundim, lutja e Papës: “T’i kërkojmë sot Zotit... të na e mësojë këtë stil të jetës së fesë e të na ndihmojë të mos biem kurrë, secili prej nesh, në Kishë, në shterpësi e tregti”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.