2015-05-29 18:20:00

Më shumë kontroll në veprimtarinë financiare të Vatikanit


Për të tretin vit, Autoriteti i Informacionit Financiar (AIF) i Selisë së Shenjtë dhe i Shtetit të Vatikanit paraqiti Raportin vjetor mbi veprimtarinë financiare dhe vigjilencën në parandalimin e luftën kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Presidenti, René Bruelhart dhe drejtori, Tommaso Di Ruzza, paraqitën të dhënat për vitin 2014. Gjatë vitit të kaluar ka pasur 147 sinjalizime për veprimtari të dyshimta, 55 më pak se në vitin 2013. Autoriteti i ka dërguar shtatë raporte Gjykatës së Shtetit të Vatikanit, ku përshkruhen raste përpjekjesh për mashtrim, ose për evazion fiskal të rëndë. Inspektimi në zyrat e IOR-it, në muajt e parë të vitit 2014, lexohet më tej në Raport, nuk nxorri në dritë ndonjë mungesë thelbësore në punën e Institutit për Veprat Fetare. Gjithsesi, kontrolli do të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, sidomos në fushën e vlerësimit të rreziqeve, në atë të verifikimit të klientelës dhe në atë të transferimit ndërkombëtar të parave. Është forcuar edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Gjatë vitit 2014, janë nënshkruar 13 marrëveshje dypalëshe me shtete të ndryshme të botës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.