2015-05-29 19:01:00

Motu Proprio e Papës për rishikimin e Fondit të Pensioneve të Vatikanit


U publikua sot Letra Apostolike e Papës Françesku në formën e “Motu Proprio”, që ka të bëjë me rishikimin e Statutit të Fondit të Pensioneve të Vatikanit, ndryshime, që hyjnë në fuqi menjëherë. Rishikimi –nënvizon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi – “nuk prek pensionet e punonjësve të Selisë së Shenjtë”, por vetëm aparatin administrativ.

         Cilat janë risitë? Deri tani, kryetari i Fondit ishte automatikisht presidenti i APSA-s (autoriteti, që administron pasurinë e Selisë Apostolike). Që sot, kryetari emërohet nga Papa për pesë vjet, me mundësinë për një mandat tjetër. Këshilli për Ekonominë duhet t’i paraqesë Atit të Shenjtë tre kandidatë, nga të cilët do të zgjidhet kreu i Pensioneve, i cili mund të jetë edhe laik. Së dyti, në Këshillin Administrativ të Fondit të Pensioneve do të hyjnë edhe katër ekspertë të jashtëm, ndër 11 anëtarët. Risia tjetër ka të bëjë me vigjëlimin e jashtëm, që do t’u takojë organeve të reja vatikanase, të cilat punojnë në këtë fushë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.