2015-05-27 13:22:00

“Centesimus Annus”: dilet nga kriza, por pa vende pune


Dhënia e çmimeve për kontributin në Doktrinën Shoqërore të Kishës u mbajt në kuadrin e kuvendit të Fondacionit “Centesimus Annus” mbi ekonominë e jetën shoqërore. Evropa qe në qendër të vëmendjes: papunësia në Kontinentin e Vjetër ka arritur në 11,3%, me kulme prej 25% në Greqi dhe 23% në Spanjë. Megjithatë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendet e industrializuara kanë filluar të dalin nga kriza. Prodhimi i Brendshëm Brut botëror duhet të rritet këtë vit me 3,5%. Por nuk rriten njëlloj edhe vendet e punës, me një fjalë, ekonomia i shërben gjithnjë e më pak njeriut. Të dëgjojmë ekonomistin italian, Enrico Giovannini:

         E dimë se revolucioni industrial e shkatërron fillimisht punën e krijon mundësi për punë në fusha të reja. Rreziku i dytë është që, në botën e globalizuar, mund të mos krijohen vende të reja pune, po aty, ku janë pakësuar nga kriza. Kjo ka të bëjë me aftësitë e një vendi për të qenë novator, për të zënë një nga majat e gamës së prodhimeve, pikërisht për të shmangur pasojat e konkurrencës së vendeve, që ulin çmimet, si për shembull, vendet në zhvillim.

         Në Itali, por edhe gjetiu, duke marrë shembull nga vendet anglosaksone, po zbatohen norma të reja për punën, më ‘elastike”, quhen. A keni besim në to?

         Në këtë çast, kjo normativë italiane – për shkak të një financimi të fuqishëm fiskal – po mundëson shndërrimin e kontratave afatshkurtra në kontrata të përhershme, megjithëse, në të vërtetë, ndërmarrja mund t’i tërheqë në çdo kohë, duke i dhënë një shpërblim punëtorit të pushuar nga puna. Problemi qëndron në politikat aktive të punës, pra, ato politika, që i ndihmojnë njerëzit e pushuar nga puna të gjejnë një tjetër. Për shembull, në Gjermani, ekziston një sistem prej 90 mijë vetësh, që merret me gjetjen e punës së re për ata, që e kanë humbur; në Itali, kjo shifër arrin vetëm në 8 mijë, e shumë prej këtyre njerëzve kanë kontratë afatshkurtër. Prandaj, elasticiteti i tregut të punës është i frytshëm vetëm kur përkrahen fuqishëm ata, që kanë nevojë të gjejnë punë. E jo vetëm ata, por çdo i varfër, edhe ata që s’kanë punuar kurrë. Vetë Papa, gjatë takimit me sindikatat katolike, nënvizoi se kjo është një infrastrukturë e nevojshme për një shoqëri moderne.

         Eurozona ndjen pasojat e krizës në Greqi, e cila duhet administruar. Kështu mendon edhe Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomasi:

         Natyrisht, një nga aspektet themelore të njeriut është solidariteti me të tjerët, sepse kjo është pjesë e të qenit njeri: nëse nisemi nga ky parakusht, solidariteti bëhet strategji, edhe politike, që çon në rrjedhoja operative e praktike, në të mirë të të gjithëve. Prandaj, nuk mbrohemi nga një vend me probleme duke e izoluar, por duke marrë pjesë në problemet e tij e duke e ndihmuar t’i zgjidhë.








All the contents on this site are copyrighted ©.