2015-05-27 14:22:00

Papa: martesa është besë dashurie, që lidh burri me gruan, jo kulturë “përdor e flak”.


Martesa është besë ndërmjet burrit e gruas, që nuk mund  të lidhet aty për aty. Ky, një nga fragmentet e katekizmit, që mbajti sot Papa gjatë  audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, ardhur nga mbarë bota. Françesku u përqendrua tek vlera e fejesës e cila, kujtoi, është gati si një mrekulli, që flet vetë për lirinë e zemrës. Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga kultura “përdor e flak”, sepse minon bazat e martesës si pakt që lidhet përgjithëjetë.

Françesku vijoi, kështu, ciklin e katekizmit kushtuar familjes. E sot zgjodhi hapin e parë drejt martesës, fejesën. Duke iu drejtuar posaçërisht një numri të madh të rinjsh, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, nënvizoi se fejesa lidhet ngushtë me besimin në njeri-tjetrin e me lirinë për të zgjedhur.

Martesa, besë ndërmjet burrit e gruas, që nuk mund të lidhet a të zgjidhet aty për aty

Fejesa, vijoi të shpjegojë Papa, është kohë, a më mirë të themi, udhë, në të cilën burri e gruaja janë të thirrur të bëjnë një punë të mirë dashurie, punë në të cilën marrin pjesë të dy, duke ndarë ndjenja e mendime, që u paraprijnë drejt një hapi tjetër, të dytë. Është, prandaj, mësimi i parë i jetës së përbashkët, që nuk duhet nënvleftësuar:

“Besëlidhja e dashurisë ndërmjet burrit e gruas, besë e dhënë për jetë, nuk lidhet shpejt e shpejt, prej një dite në tjetrën. Nuk ka martesë expres: duhet punuar me e për dashurinë, duhet ecur. Besëlidhja e dashurisë së burrit me gruan mësohet, lëmohet, përsoset. Po marr lirinë të them se është besëlidhje artizanale. Punë e hollë dore. Dy jetë, që bëhen një! Tingëllon si mrekulli, mrekulli e lirisë së zemrës, besuar fesë”.

Jo, kulturës konsumiste “përdor e flak”

Duhet, ndoshta, të angazhohemi më shumë në këtë pikë, shtoi Papa, sepse “koordinatat tona sentimentale duken paksa të ngatërruara”:

“Ka nga ata, që pretendojnë të kenë gjithçka e menjëherë, për të hequr pastaj, dorë nga gjithçka e menjëherë, që në vështirësinë e parë (ose në rastin e parë). Nuk ka shpresë për besim (a lumturi), për besnikëri e, aq më pak, për dhurimin e vetvetes, nëse njeriu ka vesin ta përdorë dashurinë si një lloj “integratori” për mirëqenien e tij psiko-fizike. Kjo nuk është dashuri!”.

E këto fjalë Papa i përsëriti edhe kur përshëndeti shtegtarët e gjuhës spanjolle, duke u kërkuar t’i kundërvihen kulturës konsumistike ‘përdor e flak’, kulturës ‘gjithçka menjëherë’, që shpesh sundon mbi shoqërinë tonë. Kulturë, kjo, kujtoi me qortim, që ka prirjen ta kthejë dashurinë në objekt konsumi e që nuk mund të shikohet si bazë e një pakti jetik.

Të lexohet libri  “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar fejesës

Françesku, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, kujtoi se edhe vetë Zoti, kur flet për besën e lidhur me popullin e vet, e bën shpesh duke përdorur figurën e fejesës, siç e lexojmë në Librin e Ozesë. Prej këndej, Papa i ftoi italianët, posaçërisht të rinjtë, ta lexojnë romanin e famshëm të Manxonit, “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar pikërisht fejesës e të fejuarve:

“Është e nevojshme që të rinjtë ta njohin, ta lexojnë kryeveprën, ku tregohet historia e të fejuarve, të cilëve iu desh të pësonin shumë, të bënin një rrugë të gjatë, plot me pengesa e vëshirësi, derisa, më në fund, arritën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre. Mos e lini mënjanë këtë kryevepër kushtuar fejesës, që letërsia italiane e krijoi pikërisht për ju. Shkoni përpara, lexojeni e do ta shikoni bukurinë e vuajtjes, por edhe, e sidomos, të besnikërisë të të fejuarve”.

I rëndësishëm, dallimi i fejesës nga martesa

Kisha, vijoi Papa, i vë rëndësi dallimit ndërmjet fejesës e martesës dhe nënvizon se simbolet e forta të korpit mbajnë kyçet e shpirtit e se prandaj, nuk mund të trajtohen me lehtësi lidhjet e korpit, pa hapur ndonjë plagë që nuk shërohet lehtë në shpirt:

“Sigurisht, kultura dhe shoqëria e sotme mbajnë qëndrim indiferent ndaj delikatesës dhe seriozitetit të këtij kalimi. E, nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se janë bujare me të rinjtë, që  kanë qëllime serioze, që duan të formojnë familje të qëndrueshme e ta vulosin dashurinë e tyre  me lindjen e fëmijëve! Madje u krijojnë mijëra pengesa, mendore e praktike”.

Kurset paramartesore, rast për t’u njohur thellësisht

Papa foli, më pas, për kurset paramartesore që, kujtoi, shpesh shikohen nga çiftet si të ishin barrë e rëndë e ndiqen pa pikën e dëshirës. E pra, vijoi, shumë, pas kësaj përvoje, mbeten të kënaqur e mirënjohës, sepse kursi u krijon mundësinë të reflektojnë për përvojën e tyre me terma jo të zakonshme:

“Po, shumë çifte rrinë bashkë gjatë, edhe në intimitet, ndonjëherë duke bashkëjetuar, e megjithatë, nuk e njohin me të vërtetë njëri-tjetrin. Duket e çuditshme, por përvoja tregon se është pikërisht kështu. Prandaj duhet rivlerësuar fejesa, si kohë për njohjen reciproke, gjatë së cilës mund të thurësh plane për ardhmërinë e përbashkët. Kështu duhet nisur rruga drejt martesës, duke shfrytëzuar edhe përvojën e thjeshtë, por bindëse, të bashkëshortëve të krishterë".

Fejesa hap horizontet e familjes

Papa i nxiti të fejuarit t’i zbulojnë bashkë Biblën, lutjen, Sakramentet. Së fundi, ftesa drejtuar bashkëshortëve të ardhshëm ta jetojnë mirë kohën që i paraprin martesës:

“Koha e fejesës mund të bëhet vërtetë kohë e fillesës, për çfarë? Për befasim! Për befasimin e dhuratave shpirtërore, me të cilat Zoti, përmes Kishës, pasuron horizontin e familjes së re, që dëshiron të jetojë me bekimin e Tij”.

Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi festën liturgjike të  Shën Filip Nerit: “Uroj që vëmendja e tij për oratorin, u tha  të rinjve, t’ju nxisë ta dëshmoni me gëzim fenë  gjatë gjithë jetës suaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.