2015-05-26 10:55:00

Me zemër të hapur, Papa Françesku flet për “La Voz del Pueblo”


Një intervistë gjithëpërfshirëse, që shpjegon ç’do të thotë “të jesh Papë”. Kjo është intervista e Papës Françesku dhënë gazetës argjentinase “La Voz del Pueblo” (Zëri i Popullit). Ati i Shenjtë flet gjatë për marrëdhëniet e tij me njerëzit, për dashurinë e tij për të varfërit, për mënyrën si i kalon ditët, për shpresat e për shqetësimet e tij. “Do të dëshiroja shumë të shkoj për të ngrënë një picë”, i thotë gazetarit Juan Berretta, “kam ecur gjithnjë shumë”, po këtu – pra, në Vatikan – kjo “më mungon”. Dëshirë për të qenë njeri normal, ashtu siç ka dëshmuar edhe me mënyrën e tij të sjelljes e të qëndrimit, në shumë raste.

         “Pse përsërisni gjithnjë: lutuni për mua?”, e pyet gazetari. “Sepse kam nevojë – përgjigjet Papa. Kam nevojë të më mbështesë lutja e popullit. Është nevojë e brendshme”. Gjatë bisedës në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa “i ardhur nga fundi i botës” i thekson sërish gazetarit se nuk e kishte menduar kurrë se do të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit e, duke bërë shaka, kujton Konklavin, gjatë të cilit, bookmakers (njerëzit e basteve) anglezë e jepnin për vendin e 46-të. Por njëkohësisht, nënvizon se jeta e një jezuiti ndryshon sipas nevojës. Kur numëronin votat, Papa tregon se ishte krejt i qetë, thoshte Rruzaren, ndërsa skedat dukej sikur nuk mbaronin kurrë.

Më bën mirë të rri me njerëzit, e ndjej se më kuptojnë

         Papa Françesku i përgjigjet më pas pyetjes mbi marrëdhëniet e tij të jashtëzakonshme me njerëzit e për magnetizmin e tij të veçantë, me të cilin i tërheq të gjithë e i bën për vete. “Nuk e di mirë pse ndodh kjo – përgjigjet Papa. Duket sikur njerëzit e kuptojnë atë, që dua të them. Përpiqem të jem konkret e këtë, që ju e quani ‘magnetizëm’, kardinajtë më thonë se ka të bëjë me faktin se njerëzit më kuptojnë”. Më bën mirë të rri me njerëzit, vazhdon Ati i Shenjtë. Jeta ime bashkohet me të tyren e, psikologjikisht, nuk mund të rri pa ta.

Nuk mund të shkoj për një picë, nuk e dua protokollin

         Papa Françesku rrëfen pastaj se cilat janë gjërat, që i mungojnë më shumë, në krahasim me kohën kur jetonte në Argjentinë. Të dalë lirisht në rrugë, të shkojë për të ngrënë një picë… Por mund ta porosisni, i thotë gazetari. “Nuk është njëlloj – përgjigjet Papa. Bukuria është të shkosh aty. Kam ecur gjithnjë. Si kardinal, më pëlqente të ecja rrugës, të merrja metronë; qyteti më mrekullon, jam qytetar në shpirt”. Një ditë, tregon Ati i Shenjtë, “dola me makinë me shoferin e harrova ta mbyll dritaren. U bë nami! Njerëzit nuk e linin makinën të kalonte, sepse e kishin parë se ishte Papa brenda”. Jam i padisiplinuar, vijon Papa, “protokollin nuk e ndjek shumë, e konsideroj të ftohtë”, por kur ka gjëra zyrtare “e respektoj tërësisht”.

Fle i qetë, zgjohem në orën 4.00, por nuk heq dorë nga “siesta”

         Gazetari i “La Voz del Pueblo” e pyet Papën nëse flen mirë natën, pavarësisht nga problemet e tensionet. “Kam një gjumë kaq të thellë – përgjigjet – sa më zë, sapo vë kokën në jastëk”. “Fle gjashtë orë – saktëson më pas – normalisht në orën 9 të darkës shkoj në dhomë e lexoj deri nga ora 10, kur fillon të më lotojë një sy, kështu që fik dritën e fle deri në orën 4, kur zgjohem vetë, sepse kjo është ora ime biologjike”. Por, shton se ka nevojë për pushimin pas drekës, nga 40 minuta deri në një orë. Ati i Shenjtë e ndjen veten më të lodhur, kur nuk mund të bëjë, atë që latinoamerikanët e quajnë “siesta”. Papa tregon se në këtë periudhë po lexon “Shën Silvanin e Malit Atos, mësues i madh shpirtëror”.

Lotët për kë vuan, mallëngjimin për të sëmurët e të burgosurit

         Shpesh në homeli, Papa Françesku thekson se ka rëndësi të dish të derdhësh lot. Në intervistë pohon se ka derdhur lot për dramat e njerëzve e në veçanti, përmend popullin rohingya, që në këtë periudhë, sillet pa strehë në detin bengalez, para vendeve, që nuk duan ta strehojnë. Ati i Shenjtë flet edhe për fëmijët e sëmurë e tregon se i bën Zotit, të njëjtën pyetje që i bëjnë edhe prindërit: “O Zot, pse atyre e jo mua?”. Papa rrëfen se mallëngjehet gjithnjë gjatë vizitave në burg, sepse mendon se askush nuk është krejtësisht i sigurtë se nuk do të kryejë një krim kurrë. Ndoshta të burgosurit nuk kanë pasur mundësitë, që kanë pasur të tjerët, për të mos e kryer krimin, për të cilin u kanë vënë prangat. Gjithsesi, tregon Papa, nuk derdh lot publikisht, por më ka qëlluar dy herë të përmbahem me zor: një herë, duke kujtuar persekutimet e të krishterëve në Irak e, një herë tjetër, duke menduar për fëmijët. “Pse nuk doni t’ju shihen lotët?”, e pyet Juan Berretta. “Nuk e di – përgjigjja – më duket se duhet të shkoj përpara”.

Nuk mungojnë presionet, ritmi i punës është intensiv

         Nga ana e karakterit, Papa Françesku thotë se nuk ka frikë e nganjëherë shkon drejt rrezikut, sepse e lëshon veten “në duart e Zotit”. Por, thekson se ka frikë nga dhimbja fizike: “jo se nuk i duroj gjilpërat – rrëfen – por, preferoj të mos kem punë me dhimbjen fizike”. Ati i Shenjtë përmend pastaj presionet, që lidhen me shërbimin e tij. “Në këtë çast – pohon – më lodh shumë intensiteti i punës. Po përballoj një ritëm pune shumë të lartë, është ‘sindroma e fundit të vitit shkollor’, që mbyllet në qershor”. E pastaj, shtohen mijëra gjëra e probleme të kota, si për shembull, fjalët e marra nga mjetet e komunikimit e të interpretuara sipas qejfit, larg kontekstit. Gjendjen politike në Argjentinë nuk e ndjek më, sepse trishtohet nga ky “vend me shumë mundësi e me shumë raste të humbura”, siç e përkufizon vetë.

Jam Papa i të varfërve? Të varfërit janë në qendër të Ungjillit

         “Ju pëlqen kur ju quajnë Papa i të varfërve?”, pyet gazetari. “Varfëria – përgjigjet Françesku – është në qendër të Ungjillit. Jezusi erdhi për t’u predikuar të varfërve; nëse e hiqni varfërinë nga Ungjilli, nuk kuptohet asgjë”. Të këqiat më të mëdha të botës së sotme, nënvizon Ati i Shenjtë, janë “varfëria, korrupsioni, trafiku i njerëzve”. Çrrënjosja e varfërisë mund të konsiderohet utopi, por do të ishte tepër e trishtuar sikur një i ri të mos kishte utopi e sikur bota të mbetej pa to. Papa përmend dy-tre pika, që duhen mbajtur mend për të përballuar problemet e jetës: “kujtesa, aftësia për të kuptuar të tashmen, utopia për të ëndërruar të ardhmen”. E pyetja e fundit: “Si doni t’ju kujtojnë?”. Papa Françesku përgjigjet thjesht: “Si njeri, që u përpoq të bëjë mirë, nuk kam pretendim tjetër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.