2015-05-24 18:49:00

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit


Papa takoi krerët e dikasterve për Vitin Shenjt

         Të hënën e kaluar, Papa Françesku u takua në Vatikan me krerët e Kuries Romake. Tema e mbledhjes: Jubileu i jashtëzakonshëm kushtuar Mëshirës Hyjnore.

Ati i Shenjtë kërkon lutje për të krishterët e persekutuar

         Duke pritur në Sallën Klementine, murgeshat karmelitane dhe motrat e Rruzares, ardhur nga Lindja e Mesme për shenjtërimin e dy rregulltareve palestineze, Papa Françesku pohoi: “Të lutemi për dy shenjtet e reja e për pajtimin në tokën tuaj, që t’i jepet fund kësaj lufte pa fund e të vendoset paqja ndërmjet popujve”.

Papa i nxit ipeshkvijtë të luftojnë kundër korrupsionit

         Gjatë fjalës së hapjes, në Asamblenë e 68-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, që u mbajt javën e kaluar, Ati i Shenjtë u kërkoi të pranishmëve, atë që e quajti “ndjeshmëri kishtare”, pra gatishmërinë për t’u folur njerëzve me fjalët e tyre e për të ndenjur me ta, për t’ua kuptuar problemet. Gjithashtu, i nxiti ipeshkvijtë të luftojnë kundër korrupsionit. “Mos kini turp e as frikë – u tha atyre – të denonconi mendësinë e përhapur të korrupsionit publik e privat”.

         Papa i ftoi prelatët të hartojnë dokumente e të marrin vendime, në të cilat të mos mbizotërojë aspekti teoriko-doktrinor abstrakt, por propozimet konkrete e të kuptueshme. U tha gjithashtu, ta mbrojnë Popullin e Zotit nga kolonizimet ideologjike. Së fundi, hodhi mendimin e bashkimit të instituteve, kuvendeve e kongregatave, të cilat janë plakur aq, sa nuk janë më në gjendje t’u dëshmojnë Ungjillin besimtarëve.

Të ndalet drama e të krishterëve të persekutuar

         Të mërkurën, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku bëri një thirrje tjetër të fuqishme për të krishterët e persekutuar. Ati i Shenjtë denoncoi problemet e të krishterëve, sidomos të atyre në Lindjen e Mesme, por edhe persekutimet që pësojnë në anë të tjera të botës, përfshirë intolerancën e botës perëndimore.

Në Vjenë, flitet për krimet kundër të krishterëve

         Për krimet kundër të krishterëve u fol edhe në konferencën e OSBE-së në Vjenë, e dyta me temë “Parandalimi dhe lufta kundër intolerancës e diskriminimit kundër të krishterëve”. U nënvizua se të krishterët nuk persekutohen vetëm në Afrikë, në Lindjen e Mesme e në Azi, por edhe në Perëndim. Vërtet, çdo vit, sinjalizohen qindra raste kishash të profanuara, shtatoresh të shkatërruara, simbolesh fetare të hequra nga vendet publike, sulmesh verbale, ose fizike në dëm të laikëve e të të shuguruarve.

Urgjenca e dialogut ndërfetar

         Në Baku të Azerbajxhanit, u mblodh javën e kaluar Forumi botëror mbi Dualogun ndërkulturor, organizuar nga OKB-ja. I pranishëm edhe zv.sekretari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Sanchez de Toca y Alameda. Ai vuri në pah urgjencën e dialogut ndërfetar, nevojën e përcaktimit të roleve të ndryshme ndërmjet eksponentëve qeveritarë e atyre fetarë, si edhe kufizimet e lirisë së shprehjes në botë, sidomos për të krishterët.

Prindërit të marrin në dorë rolin e tyre edukativ

         Të kthehemi tek audienca e përgjithshme e së mërkurës. Prindërit të rimarrin në dorë rolin e tyre edukativ, që fëmijët të rriten me përgjegjësi për veten dhe për të tjerët. E në ndarjet e divorcet, fëmijët të mos mbahen “peng” nga njëri prej prindërve. Me këto këshilla, Papa Françesku vijoi reflektimin e tij mbi familjen. Ati i Shenjtë u lut edhe për katolikët kinezë, që të jenë dëshmitarë të besueshëm të dashurisë së mëshirshme të Krishtit, në mesin e Popullit të vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.