2015-05-22 18:17:00

Sarajevë: 70 mijë vetë do të marrin pjesë në meshën me Papën


Do të jenë rreth 70 mijë vetë, besimtarët, që do të marrin pjesë në meshën e kremtuar nga Papa Françesku në stadiumin Koshevo të Sarajevës, një nga çastet më të bukura të vizitës baritore të Papës Françesku në kryeqytetin boshnjak, më 6 qershor.

         “Më 20 maj skadoi afati i fundit për të paraqitur kërkesën e hyrjes në stadium”, theksoi këtë javë, imzot Ivo Tomasheviç, zëdhënës e sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës. Më 25 maj do të fillojë shpërndarja e biletave, shumica e të cilave u takon shtegtarëve kroatë, rreth 22 mijë vetë. Një pjesë e mirë e tyre kanë ikur nga Bosnja gjatë konfliktit të njohur ballkanik. Gjatë meshës, shpjegon më tej imzot Tomasheviç, do të këndojë një kor prej 1700 këngëtarësh.

         Çast tjetër i vizitës baritore, për të cilin janë regjistruar rreth 4 mijë vetë, është ai i takimit me të rinjtë në qendrën dioqezane rinore “Gjon Pali II”. Njëmijë prej tyre, ndër të cilët edhe të rinj të feve të tjera, do ta shohin Papën nga afër, në sallonin e madh, brenda qendrës.

         Përgatitjet për pritjen e Papës nuk përfshijnë vetëm Kishën e vendit, por edhe institucionet. Në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës, ku do të mbërrijë Ati i Shenjtë, po vijojnë punimet për sistemimin e ambienteve dhe për t’i bërë ato më të sigurta.








All the contents on this site are copyrighted ©.