2015-05-22 13:43:00

Kryeipeshkvi i Mosulit: lutemi, që Zoti t’i shndërrojë zemrat e armiqve


“Besimtarët e mi humbën gjithçka, sepse ruajtën fenë. Nuk e dimë ç’na pret në të ardhmen, por vijojmë të kemi besim në Zotin”: këtë deklaroi  imzot Yoana Petros Mouche, kryeipeshkëv siro-katolik i Mosulit, gjatë një vizite në selinë italiane të Lëvizjes Ndihmë për Kishën që Vuan.

Prelati kujtoi rënien e Mosulit në duart e Shtetit Islamik, natën ndërmjet 9 e 10 qershorit 2014. “E ndjemë veten të tradhtuar nga ushtria irakiane, që u tërhoq me shpejtësi rrufeje, duke e lënë qytetin në dorë të Isis” vijoi imzot Mouche, që tregoi edhe se pas pushtimit të Mosulit, burrat e Shtetit islamik  u sollën miqësisht me të krishterët. Ishte e qartë se donin të rrinim aty, për të na goditur më lehtësisht. Në fund të qershorit, vijoi të tregojë prelati, një nga njerëzit e al Bagdadit erdhi të më takojë. E kuptova menjëherë se nuk donte të merrej vesh me mua, si përfaqësues i Kishës katolike, por t’u impononte të krishterëve kushtet e Shtetit Islamik; të ktheheshin në fenë islame, të paguanin xhiza, taksë, që duhet ta paguajnë besimtarët jo myslimanë, ose të largoheshin nga qyteti.

Natën ndërmjet 6 e 7 gushtit, imzot Mouche ndodhej në Karakosh,  vendlindje  tij e, prej ndonjë viti, edhe seli e dioqezës, kur aty nga ora 11.30 e mbrëmjes erdhi lajmi se ushtria kurde ishte në tërheqje e sipër, duke i hapur kështu rrugën Shtetit Islamik të hynte në fshatin me shumicë të krishterë. Nga frika ikëm menjëherë prej shtëpive, pa marrë as veshjet e nevojshme, pohoi prelati. Qemë të bindur se do të ktheheshim të nesërmën, por që atë natë, kanë kaluar tetë muaj. Kështu Karakoshi ra në dorë të Isis, njëherësh me 12 fshatra të tjera të krishtera.

Më se 50 mijë besimtarët e dioqezës siro-katolike të Mosulit, rreth 12 mijë familje, jetojnë tani në kushtet e refugjatit. Shumica e tyre ndodhen në Kurdistan, por më se 3 mijë familje tashmë jetojnë jashtë vendit. Mundohem ta mbaj të bashkuar dioqezën time e t’i takoj të gjithë besimtarët e mi, për të kryer atë pak shërbim baritor që kam mundësi ta kryej. Por nuk është aspak e lehtë! Vetëm në Kurdistan siro-katolikët jetojnë në 57 zona të ndryshme, pa llogaritur se shumë janë vendosur në Liban, Jordani, Turqi ose në Evropë, vijon të tregojë me hidhërim të thellë prelati.

Kujtojmë se dioqezës së udhëhequr nga imzot Mouche, i përket një e treta e gjithë bashkësisë siro-katolike botërore. “Nuk e di në se dioqeza ime ekziston akoma- shton ai. Sot nuk kemi kurrfarë sigurie. Nuk jemi të qartë për asgjë.  Po unë nuk e humbas kurrë shpresën e vijoj t’i nxis besimtarët e mi të luten që Zoti t’i shndërrojë zemrat e armiqve tanë e ne të mund të vijojmë të jetojmë në tokën tonë”

Mendimi i ipeshkvit shkon vazhdimisht në Karakosh, simbol i pranisë së krishterë në Irak. Pa Karakoshin e krishterë, për ne Iraku nuk ka më pikë vlere, pohon. Më mirë të kërkojmë një skutë tjetër në botë, ku të mund ta jetojmë lirisht fenë tonë e të rigjejmë dinjitetin e të drejtat që i përkasin çdo njeriu. Të drejta që ne i humbëm. Që na i shkelën. Që vijojnë të na i mohojnë!

Që nga fillimi i konfliktit, Lëvizja Ndihmë për Kishën që Vuan ka dhuruar 4 milionë e 800 mijë euro për projektet e asistencës në  ndihmë të refugjatëve e të Kishës vendase, të dërmuar nga Isis, që ku vë këmbë, nuk mbin më as bar.

Ky pra, është Isis, e kjo lufta e shenjtë, xhihadi, për vendosjen e Kalifatit! E këta, të krishterët e Karakoshit!








All the contents on this site are copyrighted ©.