2015-05-22 18:12:00

Kard. Turkson: na duhet një “kthesë ekologjike”


Zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria ekologjike mund të ecin së bashku për mbrojtjen e ambientit e të gjithësisë. Kjo është teza e raportit të Komisionit botëror mbi ekonominë e klimën, paraqitur këtë javë në Romë. Ngjarja u organizua nga Ambasada e Hollandës pranë Selisë së Shenjtë, vetëm pak javë para botimit të Enciklikës së Papës Françesku për temat e ambientit.

         I pranishëm kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, i cili theksoi se njeriu e ka për detyrë të mbrojë ambientin, dhuratë e Zotit për të, por për ta realizuar këtë detyrë është e nevojshme një “kthesë ekologjike”, një kthim zemrash njëlloj si ai fetar:

         “Kthesa ekologjike është pikërisht një ndryshim i mënyrës së sjelljes para gjithësisë së krijuar nga Zoti, para ambientit. Pra, kthesa ekologjike është kthim i zemrës së njeriut, që merr parasysh ambientin, sepse jeta e njerëzve varet prej tij”.

         Deri tani, një nga pengesat më të mëdha në rrugën e politikave në favor të ambientit, është frika se mos ato mund të pakësojnë zhvillimin ekonomik. Kjo lidhje mund të shmanget, shpjegoi kardinali Turkson, duke respektuar dinjitetin e punëtorëve e duke vlerësuar talentet, duke e rishpërndarë drejt pasurinë e fituar me djersë e duke prodhuar produkte të mira, të dobishme për njerëzimin:

         “Tani ka përpjekje për ta bindur botën afariste se kujdesi për ndryshimin e klimës nuk do të thotë fundi i ndërmarrjes. Biznesi punon për të prodhuar. Atëherë, të punojë për prodhime të mira, që u përgjigjen nevojave të njerëzve, kërkesave të tyre e jo thjesht, fitimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.