2015-05-22 15:36:00

Françesku: Shpirti Shenjt u dhëntë forcë të krishterëve të persekutuar


Papa botoi sot një tweet të ri në faqen e internetit @Pontifex: “O Zot, dërgoje Shpirtin Shenjt t’u japë ngushëllim e forcë të krishterëve të persektuar”.

Edhe një herë Françesku thyen heshtjen lidhur me persekutimin e të krishterëve, që vijon edhe sot e kësaj dite, në të katër anët e botës. Tweeti papnor përsërit hashtagun #free2pray, domethënë “të lirë për t’u lutur”, moto e fushatës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane për të bërë, Natën e Rrëshajëve, nesër mbrëma, një gjest të madh lutjeje drejtuar Zotit e edhe afërsie me vëllezërit e motrat, të persekutuar për shkak të fesë së tyre në Krishtin.

Sipas statistikave më të reja, më se 150 milionë të krishterë pësojnë dhunë e diskriminime nga më të ndryshmet, edhe atje ku thuhet se feja është e lirë. Nisma e Natës së Rrëshajëve përfshin të gjitha dioqezat e Italisë por po përhapet në mbarë botën. Çdo i krishterë mund të bashkohet me të, në lutje.

Kujtojmë se Papa Françesku foli për persekutimet kundër të krishterëve edhe në përfundim të audiencës së përgjithme të së mërkurës, duke kujtuar propozimin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane që dioqezat të luten me rastin e Mbrëmësores së Rrëshajëve për vëllezërit e motrat e shumta, theksoi Papa, që  detyrohen të marrin rrugët e mërgimit ose vriten vetëm e vetëm sepse janë të krishterë: “Janë martirë! Uroj që ky çast lutjeje të thellojë vetëdijen se liria fetare është  e drejtë njerëzore e padhunueshme, t’i sensibilizojë të gjithë për dramën e të krishterëve të persekutuar në kohën tonë e të ndihmojë që t’i jepet fund këtij krimi të palejueshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.