2015-05-21 14:44:00

Papa, policëve: mbroni të brishtët, luftoni të korruptuarit


Njerëz, që shërbejnë pa interes, me bujari e vazhdimësi: këta duhet të jenë punonjësit e Policisë, sipas Papës Françesku, i cili priti sot në Vatikan, familjarët e viktimave dhe të të rënëve në shërbim të Policisë së Shtetit Italian. Ati i Shenjtë i falenderoi forcat e rendit për impenjimin kundër njerëzve të dhunës e të korrupsionit, për mikpritjen e emigrantëve dhe për luftën kundër trafikantëve.

Luftë kundër kriminalitetit të organizuar e terrorizmit

         Papa e quajti misionin e policit, të pasur me “vlera të një rëndësie të veçantë për jetën civile”:

         “I referohem ndjenjës së lartë të detyrës dhe të disiplinës, gatishmërisë për flijim, nëse është e nevojshme, deri në flijimin e jetës, për mbrojtjen e rendit publik, për respektimin e ligjshmërisë, për mbrojtjen e demokracisë dhe luftës kundër kriminalitetit të organizuar e terrorizmit”.

Dëshmoni vlerat e krishtera kundër kulturës së të përkohshmes

         Duke iu drejtuar veçanërisht familjarëve të viktimave të Policisë, Papa Françesku nënvizoi se kush e merr seriozisht punën e vet dhe e vë veten në dispozicion të bashkësisë, pavarësisht nga rreziku e vështirësitë, “del” vërtet drejt të afërmit dhe i shërben atij. Por vetëm në Jezusin mbi Kryq mund të gjejmë vërtet forcën për të falur e për t’u ngushëlluar, duke mbartur secili, kryqin e vet:

         “Dëshmia e vlerave të krishtera është edhe më e qartë këto kohë, në të cilat, bujaria e shumë vetëve, shpesh, nuk ndiqet nga aftësia për ta mishëruar në një impenjim koherent e të vazhdueshëm. Në këtë kohën tonë, duket më i lehtë impenjimi në gjëra të përkohshme e të pjesshme”.

Faleminderit për mikpritjen e emigrantëve dhe për luftën kundër trafikantëve

         Ndërkaq, veprimtaria e forcave policore, vijoi Ati i Shenjtë, krijon diçka të qëndrueshme në kohë: u garanton gjithnjë qytetarëve ligjin dhe rendin, duke u dhënë të gjithëve mundësi të jetojnë qetësisht:

         “Gjatë këtyre viteve, veprimtaria e Policisë jep një kontribut vendimtar edhe në kontrollin e rrrymës së refugjatëve, që mbërrijnë në Itali, duke kërkuar strehim, pas ikjes nga lufta e persekutimet. Ju jeni në linjën e parë të frontit për mikpritjen fillestare të emigrantëve, si edhe për luftën kundër trafikantëve të paskrupullt”.

         Në fund, Papa Françesku u tha policëve të jenë krenarë për punën e tyre e i këshilloi të vazhdojnë t’i shërbejnë shtetit, çdo qytetari e çdo njeriu në rrezik, pa interes, me bujari e me këmbëngulje.








All the contents on this site are copyrighted ©.